Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Incidentet në veri mund të jenë skenar të pengimit të zgjedhjeve

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se incidentet e ditëve të fundit në veri mund të jenë skenar për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve atje.

Refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, Haradinaj e ka parë si mosgatishmëri të palës serbe për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit.

“Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë. Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel”, ka shkruar ai në Facebook.

Haradinaj ka shtuar se Kosova dhe Serbia duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, dhe se sipas tij, “presidenti i Serbisë duhet të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme”.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i ka kërkuar BE-së dhe SHBA-së që të shfrytëzojnë mekanizmat e tyre që të mbrojnë të arriturat me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të sponsorizuar prej tyre.

“Në të kundërtën angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjitha palëve për këtë marrëveshje, do të mbetej përpjekje pa rezultat. Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, efektet e saj do të jenë të papërfillshme”.

Edhe Haradinaj kërkon hetim ndërkombëtar për sulmet në veri Arbëri Haradinaj kërkon hetim ndërkombëtar për sulmet në veri

Haradinaj ka inkurajuar që palët të jenë “të pakompromis në vendosmërinë për të mënjanuar të gjithë ata që e rrezikojnë edhe marrëveshjen edhe sigurinë”.