Deputeti Ramush Haradinaj ka thënë se situata në veri duhet të trajtohet me seriozitet dhe në funksion të kësaj duhet të shtyhen sërish zgjedhjet lokale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan. Por kryekuvendari Glauk Konjufca e sheh të paarsyeshme një shtyrje të dytë, me gjithë, siç ka thënë, tendencat për destabilizim të asaj pjese të vendit
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe.
Ai nga foltorja e Kuvendit, të enjten, ka ftuar presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti ta bëjnë këtë.
“Unë u bëj thirrje Qeverisë dhe presidentes ta marrin me seriozitet gjendjen në veri dhe ta marrin një vendim lidhur me këtë situatë. Cili do të ishte ky vendim, unë besoj shumë, shtyrja e zgjedhjeve”, ka thënë Haradinaj.
Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan tashmë janë shtyrë një herë. Komisioni Qendror Zgjedhor ka javë që ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale të 23 prillit, por ka ditë që nuk po arrin të mbajë mbledhje për përcaktimin e vendvotimeve.
Për zgjedhjet dhe situatën në veri, të enjten ka folur edhe kryekuvendari Glauk Konjufca. Ai e ka quajtur të paarsyeshme mundësinë e një shqyerje tjetër.
“Data është caktuar moti, një herë pastaj është shtyrë. Mendoj që shtyrja e dytë do të ishte e paarsyeshme. Së pari çfarë duhet të bëjmë është që të sigurohemi se secili institucion po e kryen detyrën e vet sipas obligimeve kushtetuese. E pastaj kur i marrim rezultatet zgjedhore, atëherë do të shihet dhe do të hyjmë në një etapë tjetër. Por këtë etapë nuk mund ta paragjykojmë para 23 prillit”, ka thënë Konjufca.
Edhe
Konjufca fton qytetarët që masivisht të marrin pjesë në zgjedhjet në veri
Konjufca ka pranuar se situata në veri nuk është më e mira dhe se ka tendencë për destabilizim në prag të zgjedhjeve, ku nuk do të marrë pjesë Lista Serbe, si subjekti më i madh i serbëve në Kosovë.
Ditëve të fundit, në veri janë regjistruar disa incidente.