Arbëri

Jepen zotime për të mos i shtyrë zgjedhjet në veri

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk do të ketë sprapsje nga vendimi për t’i organizuar më 23 prill zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore. Por, ka theksuar se Kosova nuk do të bjerë as pre e provokimeve që i bën Serbia. Përcaktimin për t’i organizuar zgjedhjet e ka shprehur edhe ministri i Punëve të Brendshme, ndërkaq deputetë opozitarë kanë kërkuar koordinim me ndërkombëtarët

Autoritetet në Kosovë kanë mohuar të premten mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore të banuara kryesisht me serbë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se nuk mund të ketë shtyrje tjetër, përtej asaj të fundvitit.

“Kosova është e përkushtuar që obligimet t’i zbatojë në mënyrë paqësore, në mënyrë që KQZ-ja të ketë mundësi që t’i organizojë zgjedhjet. Ata që mundohen t’i cenojnë zgjedhjet edhe me sulme, duhet të mbajnë përgjegjësi. Policia duhet të ofrojë siguri konform ligjit”, ka thënë Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. “AKI-ja i ka informatat e veta. Është e jona si i marrim ato dhe si veprojmë, e të cilat konsistojnë në dy qëllime: Të mos zmbrapsemi dhe të mos biem pre e provokimeve që i bënë Beogradi. Do ta refuzojmë çfarëdo tendence të tillë”.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, ka theksuar se nuk ka arsye që zgjedhjet në veri të shtyhen.

“Vlerësojmë që nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljeve të disa bandave kriminale dhe mospjesëmarrjes së Listës Serbe. Është e qartë që segmente të caktuara, të mbështetura nga Serbia, e refuzojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë atje. Ne kemi obligim që qytetarëve t’u ofrojmë mundësinë për jetë të qetë dhe rregullim demokratik”, ka thënë ministri Sveçla.

Pavarësisht situatës së krijuar me incidente të shumta në veri të vendit, ministri është shprehur i bindur se zgjedhjet do të përfundojnë të qeta.

Ai ka thënë se Ministria që drejton është në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ta mundësuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Me rëndësi është që institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor ashtu siç është më së miri dhe unë jam i bindur se i gjithë ky proces do të përfundojë i qetë, i suksesshëm. MPB-ja është në dispozicion të KQZ-së, në mënyrë që zgjedhjet të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm”, ka theksuar Sveçla.

Por, deputetë opozitarë u kanë kërkuar përfaqësuesve shtetërorë që për zgjedhjet në veri t’i bashkërendojnë veprimet me ndërkombëtarët.

“Agjenda e Qeverisë së Serbisë është e hapur, nuk është fshehur. Është armiqësore. Është me synime destabilizuese dhe dashakeqe. Ata po i presin gabimet tona dhe këtu duhet të jetë i kujdesshëm kryeministri Kurti dhe Qeveria që të mos krijojnë alibi, sidomos te faktori ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. “Bashkërendimi i kësaj agjende, për çdo veprim që lidhet me këtë temë, është i rëndësishëm. Serbia nuk mund t’i vërë kushte Kosovës. Ajo kohë ka përfunduar në vitin 1999”.

Zgjedhjet në veri u shpallën, pasi Lista Serbe braktisi edhe institucionet në katër komunat veriore, të cilat i udhëhiqte. Lista Serbe, por edhe autoritetet në Serbi, kanë theksuar se rikthimi në institucione do të bëhet tek pas themelimit të Asociacionit.

Por, kryeparlamentari Konjufca thotë se marrëveshja e fundit me Serbinë i referohet Asociacionit tek në pikën e fundit.

“Marrëveshja e Ohrit ka treguar vullnetin e mirë të Kosovës për të ecur përpara dhe qëllimet destruktive të Serbisë. Serbia po mendon që kjo marrëveshje e ka vetëm një kapitull, e ka vetëm Asociacionin. Unë mendoj se Asociacioni është kapitulli i fundit i kësaj marrëveshjeje dhe kështu është në të vërtetë. Aty nuk ka as referencë eksplicite të Asociacionit. Është vetëm neni 10 ku thuhet që duhet zbatuar marrëveshjet e kaluara, ato që janë të ligjshme”, ka theksuar kryeparlamentari.

Lista Serbe, e cila ka udhëhequr deri tash me komunat veriore, nuk ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 23 prillit.