Arbëri

Hamza premton rritje pagash për 50 për qind e pensione mbi 200 euro

PDK

“Pagat në sektorin publik do të rriten me 50 për qind për shërbyesit civilë, mjekët, infermierët, mësuesit, profesorët, zjarrfikësit, ushtarët, policët e të gjithë ata që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Për dallim, për pozitat me paga të larta dhe emërime politike, rritja do të jetë 30 për qind”, ka thënë kandidati për kryeministër i PDK-së.

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, ka premtuar të shtunën rritje të ndjeshme të pagave në sektorin publik, e edhe të pensioneve.

Zotimin e bëri në konventën qendrore të kësaj partie, në të cilën u promovua Hamza për kryeministër, e edhe u prezantua slogani për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Pagat në sektorin publik do të rriten me 50 për qind për shërbyesit civilë, mjekët, infermierët, mësuesit, profesorët, zjarrfikësit, ushtarët, policët e të gjithë ata që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Për dallim, për pozitat me paga të larta dhe emërime politike, rritja do të jetë 30 për qind”, ka thënë Hamza, në ngjarjen që është organizuar në Pallatin e Rinisë. “Për sa i përket pensioneve, në qeverinë time nuk do të ketë pension më të ulët se 200 euro. Ndërsa, pensionet kontributdhënëse do të rriten me 30 për qind, duke u bazuar në përvojën e punës”.

Në mesin e premtimeve të Hamzës është edhe subvencioni prej 100 eurosh në muaj për familjet që nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike dhe i regjistrojnë ata në çerdhe private.
Ai tha se ka plan edhe për mbështetjen e të moshuarve. Premtoi ngritje qendrash në secilin rajon, për kujdesin ndaj të moshuarve.

Hamza publikoi edhe sloganin për zgjedhje, që do të jetë: “Kosova mundet ma mirë”. 

“Ne jemi këtu për ta dëshmuar këtë”, ka thënë ai. “Ndërsa, unë si kryeministër ju siguroj se do ta bëj këtë”.

E, tek u shërbye me këtë slogan, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se me qeverisjen e Hamzës, nga ekonomia tek infrastruktura, nga arsimi te shëndetësia, nga siguria te diplomacia, në secilën fushë, vizioni i PDK-së është i qartë: ma mirë.

“Për ta arritur këtë, secili prej nesh duhet të fillojë ndryshimin nga vetvetja. Si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, unë kam vendosur i pari që ta bëj këtë ndryshim. Prandaj, me bindje të plotë e kam nominuar kandidat për kryeministër Bedri Hamzën. Këtë e kam bërë për shumë arsye, por jua them një që i përmbledh të gjitha: Unë jam i bindur që Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund të ketë sot Kosova. Kosovën duhet ta bëjmë më të mirë”, ka thënë Krasniqi. “Si dikush që ka punuar gjatë me Bedriun dhe e njeh mirë atë, unë ju siguroj se te Bedriu, Kosova nuk do të gjejë thjesht një kryeministër, por një njeri të vendosur për ta bërë vendin tonë më të fortë, më krenar dhe më të mirë”.

Një pjesë të fjalimit të tij, Krasniqi ia ka kushtuar dy ish-kryetarëve të PDK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, që ndodhen në Hagë, duke u përballur me akuzat për krime lufte. 

Në konventë u transmetua një video që përshkruan jo vetëm rrugëtimin e tyre, por edhe sukseset e Kosovës gjatë qeverisjes së PDK-së.