Profesori i shkencave politike, Arben Hajrullahu, ka thënë se kjo çfarë po bën tani Rusia në Ukrainë është vetëm një hap tjetër në realizimin e skenarit të presidentit rus, Vladimir Putin, sa i përket korrigjimit të “tragjedisë” që i ka ndodhur ish-Bashkimit Sovjetik, në mënyrë që të rikthehen sferat e interesit dhe kontrollit të territoreve të humbura.
I ftuar në Java Sonte me Rronin, Hajrullahu ka thënë se i njëjti skenar është parë edhe më parë me ankesimin e Krimesë, por edhe me Gjeorgjinë gjatë vitit 2008.
“Këtë se çfarë po ndodh sot dhe mënyrën se si po vepron Putini, kjo nuk është asgjë e re, ne e dimë historinë e tij si ish-agjent i KGB-së dhe që deklaron shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, rënien e komunizmit, empirisë komuniste që i ka pasur gjithë ato shtete satelite rreth e përqark globit, ndarja e madhe, përleshja mes bllokut perëndimor dhe lindor, e quan fundin e Bashkimit Sovjetik si tragjedinë më të madhe. Disa kanë menduar se vetëm po derdh lot krokodili për një kohë të gjatë, por nëse analizohet përmbajtja e fjalimit të tij në 2007-tën në Konferencën për Sigurinë Mynih, atëherë mund të shihet qartë se i paraqet dhe elaboron idetë e tij. Se çfarë po ndodh tani me Ukrainën ka ndodhur më parë me Gjeorgjinë në 2008-tën. Kjo që po bën është edhe një hap tjetër në realizimin e skenarit të Presidentit rus sa i përket korrigjimit të asaj tragjedie të madh që i paska ndodhur ish-Bashkimit Sovjetik, pra rikthimin e sferave të interesit dhe kontrollit në territoret e humbura. Edhe më eklatante ishte mënyra e aneksimit të Krimesë”, ka thënë Hajrullahu.
Sipas tij, nuk pritet që superfuqitë si SHBA-ja do të fillonin luftë me Rusinë, duke rrezikuar përdorimin e armëve bërthamore për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
“Mund të moralizohet, por çdo krijesë njerëzore shpreson shumë që të mos vijë deri te përdorimi i armëve bërthamore. Me gjithë ato garancitë që janë dhënë në këtë rast me Ukrainën, është e papritshme që tash superfuqitë si SHBA-ja do të fillonte një luftë me Federatën ruse ku do të rrezikohej edhe përdorimi i armëve bërthamore për shkak të invazionit apo agresionit të Federatës ruse kundër shtetit sovran të Ukrainës”, është shprehur ai.
Edhe
Putini e sheh planin e paqes si pikënisje, i kërkon Ukrainës të tërhiqet
Këtë situatë të krijuar në Ukrainë, ai e ka krahasuar me Kosovën, duke thënë se presidenti rus po e bën të njëjtën gjë sikurse Serbia, nuk e njeh ekzistencën e popullit ukrainas.
“Rusia kur thirret te tentimi për të krijuar diçka të re dhe krahasimi jo i drejtë që i bëhet këtyre rajoneve me rastin e Kosovës, rajone në të cilat nuk ka pasur shkelje masive të të drejtave të njeriut, as tentim gjenocidi, as nuk kanë qenë pjesë e një federate që është shpërbërë.Putini filloi të deklarohej për ekzistencën e popullit ukrainas, njëjtë sikurse bën Serbia për Kosovën, e cila nëpërmjet mosnjohjes së sovranitetit, e mohon edhe ekzistencën e vendit”, ka thënë ai.
Hajrullahu më tej ka thënë se kjo çfarë po ndodhë dhe si vepron Putini, është se fillimisht e ka krijuar një varësi energjetike të Evropës në masë të madhe dhe tani këtë varësi e shfrytëzon si armë për realizimin e qëllimeve të veta strategjike pa e marrë në konsideratë as të drejtën ndërkombëtare dhe duke cenuar rendin botëror.
Sipas tij, strategjia që përdor Rusia është e njohur dhe është përdorur për kohë të gjatë dhe në mënyrë të suksesshme nga Serbia ndaj fqinjëve të saj.
“Ne e dimë se Rusia dhe Putini investojnë në mënyrë të vazhdueshme për të përçarë dhe për të krijuar destabilitet në Evropë. Ju kujtohet vizita e ambasadorit rus në kufi me veri të Kosovës derisa ishte e hapur çështja e tabelave. Mosnjohja e sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë, nuk do të thotë asgjë më pak se mohim i ekzistencës, sipas mohimit serb do të thotë se ata kanë humbur kontrollin dhe janë duke punuar që ta rikthejnë dhe sipas këtij interpretimi, ata mendojnë se është komplet legjitime. Rreziku është që mund të tentohet të krijohen destabilitete në Bosnje përmes etnitete si Republika Srpska apo përdorimi i Kishës Ortodokse në Malin e Zi”, është shprehur ai.
Edhe
SHBA-ja e Rusia drejt marrëveshjes që i lë Putinit tokat e pushtuara në Ukrainë
Hajrullahu më tej tha se Serbia nenton të kopjojë Rusinë në strategjitë dhe sjelljet e saj. Kjo gjë sipas tij mund të shihet në politikën shtetërore serbe pasi që e kanë mendësinë e njëjtë të operuarit.
“Serbia nuk është Rusi, por një lloj tentimi i kopjimit të strategjive dhe sjelljeve mund të shihet në politikën shtetërore serbe sepse është mendësia e njëjtë e të operuarit. Fati i mirë në rastin tonë që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë tonë kombëtare është se edhe pse Kosova nuk është në NATO, NATO-ja është në Kosovë”, ka përfunduar ai.