Arbëri

Grupi kriminal shqiptar "Hellbanianz" lë Londrën për Dubain

Hellbanianz

Karteli famëkeq shqiptar, Hellbanianz, i njohur për jetën luksoze në Londër mban imazh të frikshëm në rrugët e qytetit britanik. 

Nga ndërtesat e larta të lagjes Gascoigne në Barking, Hellbanianz shpërndanë kokainë nëpër Londër, si dhe rekrutuan të rinj shqiptarë brenda bandës.

Ndryshe nga bandat e tjera që mundohen të qëndrojnë nën radar, kjo bandë nuk fshihet – anëtarët e saj postojnë pa drojë foto me armë dhe shuma të mëdha parash në rrjete sociale dhe janë përfshirë në konflikte të hapura në rrugët e Londrës.

Disa vite më parë, ata madje xhiruan një videoklip të titulluar Poppin Smoke, ku shfaqen duke drejtuar automjete ushtarake me mitralozë të rëndë nëpër lagjen Gascoigne.

Mirëpo, siç mëson “Daily Mail”, drejtuesit e bandës tashmë kanë gjetur një bazë të re, dhe nuk është në Mbretërinë e Bashkuar.

Dubai, baza e re e kartelit famëkeq shqiptar Hellbanianz

Kreu i bandës, Ervin Selita, i njohur me pseudonimin “Vinz”, besohet se është zhvendosur në Dubai bashkë me disa nga njerëzit më të besuar të tij.

Pasi fituan miliona përmes trafikut të kokainës në Britani, drejtuesit e bandës tani jetojnë jetë luksoze në Dubai, e që në rrjete sociale shfaqen me vetura Rolls-Royce dhe darka me pamje nga Burj Khalifa.

Pamjet nga “jeta e Dubait” janë postuar në TikTok nga llogari të ndryshme të lidhura me grupin. Këto postime i shoqërojnë përshkrimet dhe hashtagët si “#LifeStyleLikeArab” dhe “#DubaiSettings”. Këto llogari në rrjete sociale kanë një numër të madh ndjekësish, kryesisht të rinj shqiptarë, sidomos nga veriu i Shqipërisë.

Zhvendosja drejt Dubait besohet të ketë ndodhur në pjesën e dytë të vitit 2023, pas lirimit të Selitës nga burgu në Shqipëri, ku ai u arrestua për tentativë vrasjeje ndaj një pronari hoteli në Tiranë, pasi një punonjës nuk i lejoi hyrjen pa letërnjoftim. 

U lirua në korrik 2023 me vendim të Gjykatës së Apelit. Pas kthimitg të shkurtër në Mbretërinë e Bashkuar, Selita u zhvendos në Dubai.

Banda kriminale e krijuar fillimisht si grup muzikor

Që atëherë, Selita dhe të tjerë kanë mbajtur koncerte në Shqipëri dhe Evropë për ndjekësit e tyre. Ai shpesh performon me anëtarin e Hellbanianz, Stealth (emri i vërtetë Fation Dibra), ndonëse vendndodhja e këtij të fundit mbetet e paqartë.

Ndërkohë, disa anëtarë të tjerë të bandës janë në burg e disa të tjerë ende enden në rrugët e Barkingut.

“Kreu i Hellbanianz dhe njerëzit e tij më të besuar janë tashmë në Dubai. Të paktën pesë prej tyre dihet se janë atje. Vinz dhe më të afërtit e tij po jetojnë në luks, ndërsa ushtarët e tyre janë nëpër burgje britanike”, ka deklaruar për “MailOnline” një burim i brendshëm. 

Pjesa më e madhe e drejtuesve të grupit vijnë nga Burreli, dhe kanë emigruar në Britani si azilkërkues që në moshë të re.

Grupi – me moton e tyre: “Ne jemi Zoti i rrugëve” – fillimisht u formua si grup muzikor në vitin 2000 në lindje të Londrës dhe më pas u kthye në bandë kriminale në vitin 2002.

Siç raportohet, anëtarët e Hellbanianz fillimisht ishin fëmijë, por shpejt u përfshinë në botën e krimit dhe nisën të shpërndanin drogë për bosët shqiptarë.

Në vitin 2011, grupi tronditi kryeqytetin britanik duke u përfshirë në një përleshje të armatosur në Trafalgar Square me bandën rivale OTR (On Top of the Rest), ku morën pjesë edhe të mitur.

Ekspertët e krimit thonë se grupi përdor muzikën si “PR kriminal” për të rekrutuar të rinj.

Në vitin 2020, anëtarët Azen “Ziro” Dajci, Fabion Kuci (i njohur si “Gucci”) dhe Ardi Sheta u dënuan me gjithsej 15 vjet burgim për një grabitje me armë. Tristen Asllani, një tjetër anëtar, u dënua me 25 vjet për vepra që lidhen me armët dhe drogën në 2016.

Anëtari tjetër i njohur me nofkën “Skilla” – emri i vërtetë i së cilit është Sabajet Shuti – është në burg për vrasjen e 27-vjeçares Lumturi Zeqja në Leytonstone. Ai u ekstradua nga Suedia dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Kapoja në Dubai, ushtarët në terrenin e Londrës

Një tjetër ekspert ka thënë për “MailOnline” se “zhvendosja në Dubai ndodhi sepse ata fituan shumë para nga shitja e kokainës. Me mbi 400 mijë funte mund të blejnë një vilë dhe të marrin vizë të artë pesëvjeçare. Në Dubai, nuk kanë më probleme me rivalët apo policinë britanike. Ata nuk ndalen, por aktivitetin e vijojnë përmes ushtarëve në terren. Dhe kështu, kapoja qëndron në Dubai, ndërsa dikush tjetër merret me punën – nëse policia merret me të, ai përfundon në Gjykatën e Lartë”.

Ekspertët gjithashtu tregojnë se Dubai është kthyer në një qendër për bosët e drogës nga e gjithë bota – përfshirë britanikë, irlandezë, rusë e tani edhe shqiptarë.