Arbëri

Greva në ATK, punëtorët kërkojnë paga të njëjta si në Doganë

Punëtorët e Administratës Tatimore të Kosovës, sot kanë mbajtur grevën e tetë, ndërkohë që ishte e para me orar të plotë, ku taksapaguesve nuk u është ofruar asnjë shërbim.

Arlinda Bajraj, sekretare e Sindikatës së Punëtorëve të ATK-së, thotë se kështu do të vazhdojë deri në plotësim të kushteve, e që janë disa.

Bajraj në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se gjëja e parë që i shtyn punëtorët të hyjnë në grevë janë pagat,

Ajo ka kërkuar paga të njëjta me institucionet që kryejnë të njëjtën punë, e me këtë rast ka përmendur Doganën e Kosovës.

Sipas saj, punëtorët në Doganë marrin përafërsisht 100 euro më shumë në muaj për punën e njëjtë që e kryejnë punëtorët në ATK.

“Të dy jemi institucione të njëjta, të dyja mbushim buxhetin e shtetit, madje ata punojnë vetëm në kufi, kurse në në terren, në gjithë Kosovën mbledhin taksa”, ka thënë ajo.

Sipas Bajrajt, greva do të vazhdojë, pasi deri më tash nuk kanë marrë një ftesë nga institucionet përkatëse për bisedime dhe zgjidhje të problemeve.

Kërkesë tjetër e Sindikatës s ATK-së, është edhe përmirësimi i kushteve të punës. Thotë se në objektin e ish-Gërmisë, ku punojnë tash, e që së shpejti duhet ta lirojnë, nuk ka kushte elementare për punë.

“Sa herë bie shi, uji futet brenda. Ka zyre edhe në bodrum ku nuk ka as dritare e ajr të mjaftueshëm. Institucionet tjera që ishin në këtë objekt janë larguar, ndërsa ne nuk kemi një vendim. Është dashur ta lirojmë në qershor, por ende nuk ka asgjë”, ka thënë ajo.

Objekti i ish-Gërmisë është pronë e Komunës së Prishtinës dhe ai është paraparë të shndërrohet në sallë koncertale.

Bajraj ka deklaruar tutje se mbi 700 zyrtarë të ATK-së kanë marrë mbushje telefonike në muaj, derisa Sindikata ka dalë me propozim që me qëllim të moskeqpërdorimit të buxhetit, të caktohet një shumë e caktuar.

“Sindikata ka propozuar që shuma e ndarë të jetë 15 euro mbushje. Kërkesa është përkrahur nga menaxhmenti i lartë. Greva paralajmëruese që është mbajtur më 20 maj ishte paralajmëruese, 18 korrik dyjavëshe, derisa sot ishte e plotë”, ka thënë ajo.

“Deri në momentet kur po flasim s'ka zgjidhje. Tatimpaguesit mbesin keq aktualisht. ato që janë vërejtur janë rastet e vërtetimeve tatimore, ose dokumente që s'mund t'i marrin dokumentet online”, ka shtuar tutje.