Punëtorët e RTK-së kanë protestuar të enjten para objektit të transmetuesit publik për vonesa në ekzekutim të pagave prej gjashtë ditësh. Ata kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme, si dhe protesta të tjera në rast se pagat nuk u ekzekutohen brenda një kohe të shkurtër. Mosalokimi i mjeteve nga buxheti i ndarë për RTK-në ka mbetur peng i moskonstituimit të plotë të Kuvendit
Vonesa prej gjashtë ditësh në ekzekutimin e pagave ka bërë që punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) të protestojnë sërish të enjten për të kërkuar nga Qeveria në detyrë dhe nga Kuvendi që ta bëjnë alokimin e mjeteve për transmetuesin publik.
Në Sindikatën e punëtorëve të RTK-së kanë paralajmëruar edhe grevë dhe protesta të tjera në rast se pagat nuk ekzekutohen brenda një periudhe të shkurtër.
“Për këtë situatë përgjegjësi kanë të gjithë, Kuvendi, Qeveria dhe menaxhmenti i RTK-së... Nëse brenda një kohe të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK-së do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme dhe nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje, protestat tona mund edhe të përshkallëzohen”, ka thënë Gëzim Bimbashi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK).
Sipas Ligjit për Ndarjen e Mjeteve Buxhetore për vitin 2025, RTK-së i janë ndarë 8.9 milionë euro, shumë kjo që transmetuesit i transferohet në dy pjesë - një në janar dhe tjetra në muajin korrik.
Por, në mungesë të formimit të komisionit për buxhet, i cili ka për detyrë që ta bëjë shqyrtimin e raportit për RTK-në dhe alokimin e mjeteve, ndarja e pjesës së dytë në muajin korrik nuk është bërë.
Fisnik Dërguti, anëtar i kryesisë së SPERTK-së, ka thënë se në këtë situatë është e pashmangshme greva e përgjithshme.
“Në Raportin e fundit të Progresit është evidentuar si një mangësi funksionimi i RTK-së dhe në veçanti kjo sagë e buxhetit, e cila po vazhdon edhe tutje, e kemi ditur fare mirë që kur kemi mbetur pa paga në tremujorin e parë, e kemi ditur që do të ndodhë edhe kjo ditë”, ka theksuar Dërguti
E anëtarja e bordit nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), Naile Dema, ka kërkuar nga Qeveria në detyrë që të veprojë njësoj sikurse herën e kaluar në mënyrë që të ndalet presioni financiar.
“AGK-ja është në përkrahje dhe duke u solidarizuar me kolegët tanë nga RTK-ja. AGK-ja ka vetëm një kërkesë sot, në mënyrë urgjente dhe të padiskutueshme nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që t’i alokojë pagat për punëtorët e RTK-së, ta bëjë njësoj si ia bëri herën e kaluar dhe kështu të ndërpritet presioni financiar që po bëhet ndaj punonjësve medialë”, ka theksuar Dema.
Protestë të ngjashme punëtorët e RTK-së kanë mbajtur edhe në muajin gusht. Qeveria në detyrë më 21 gusht ka dhënë kredi për RTK-në në vlerë prej 2.5 milionë eurosh, për qëllime të likuiditetit të transmetuesit publik.