Grupi për Studime Juridike dhe Politike iu ka bërë thirrje partive politike që t’i themelojnë sa më shpejt institucionet, duke thënë se si pasojë e kësaj, Kosovës i kushtoi me mosanëtarësim në Këshill të Evropës.
Në një reagim të mërkurën, GLPS tha se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës u mblodh në Luksemburg për takimin vjetor, por s’u diskutua kërkesa për anëtarësim të Kosovës, duke shtuar se kjo situatë erdhi “si rezultat i paaftësisë së forcave politike parlamentare”.
“Më 13 e 14 maj, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës u mblodhën në Luksemburg në takimin e tyre vjetor. Fatkeqësisht, në këtë takim nuk u diskutua kërkesa për anëtarësim e Kosovës e cila ka mbetur peng që nga viti i kaluar. Kjo situatë vjen në mes tjerash, si rezultat i paaftësisë së forcave politike parlamentare për kompromis për formimin e një legjislature dhe qeverie stabile pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti”, thuhet në reagim.
Kjo organizatë ka shtuar se moskonstituimi i Kuvendit po i kushton Kosovës në aspiratat integruese. Ajo tha se mostrajtimi i aplikimit mund të bëjë që të shtyhet votimi për në majin e 2026-s.
GLPS-ja përmendi edhe mundësinë e anëtarësimit të Rusisë në Këshill të Evropës, ku tha se kjo do ta pamundësonte anëtarësimin e Kosovës.
“GLPS dëshiron të rikujtojë se me mos trajtimin e aplikimit tani, votimi i radhës shtyhet për në maj të vitit të ardhshëm. Duke marrë parasysh kontekstin e luftës në përfundim e sipër në Ukrainë, nuk është larg mendsh që deri në maj të vitit të ardhshëm Rusia të riinstalohet si anëtar i KiE, gjë që praktikisht do ta pamundësonte anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë. Prandaj GLPS shfrytëzon rastin që edhe njëherë të bëjë thirrje për përgjegjësi politike nga të gjithë forcat politike parlamentare dhe themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të qëndrueshme, forta dhe stabile në mënyrë të ruhet interesi afatgjatë politik, ekonomik dhe financiar i vendit”, thuhet në reagim.