Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

GLPS: Vonesat në reforma rrezikojnë humbje të pakthyeshme financiare për Kosovën

glps

Foto: Driton Paçarada

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar pasoja serioze financiare për Kosovën si pasojë e vonesave në reforma dhe mungesës së zbatimit institucional.

Sipas GLPS-së, 30 qershori shënon përfundimin e semestrit të katërt të Planit të Rritjes dhe njëkohësisht edhe përfundimin e periudhës së mundësisë për shmangien e humbjeve financiare. Nga kjo datë, sipas organizatës, vonesat nuk konsiderohen më thjesht vonesa në ekzekutimin e fondeve, por rrezikojnë të kthehen në humbje të pakthyeshme financiare.

Në fokus të diskutimit janë 90.6 milionë euro të dedikuara për semestrin e dytë të Planit të Rritjes, me afat përfundimtar deri më 30 qershor 2025. Pas këtij afati, ka nisur një periudhë njëvjeçare e ashtuquajtur “grejs”, gjatë së cilës institucionet e Kosovës kishin mundësi të plotësonin 13 hapat reformues të paraparë për këtë periudhë. Megjithatë, me përfundimin e kësaj periudhe, GLPS thekson se pasojat financiare tashmë janë të konsiderueshme dhe potencialisht të pakthyeshme, ndërsa pritet qartësim i shumës së fondeve të humbura.

GLPS-ja vlerëson se ky proces nuk përbën vetëm çështje teknike apo administrative, por çështje të drejtpërdrejtë të interesit publik. Sipas tyre, çdo euro e humbur nënkupton më pak investime në ekonomi, më pak mbështetje për reforma, kufizim të mundësive zhvillimore dhe cenim të besueshmërisë së Kosovës në procesin e integrimit evropian.

Organizata rikujtoi se kishte paralajmëruar këtë skenar që më 2 maj 2025, duke bërë thirrje për ratifikimin e marrëveshjeve dhe zbatimin e koordinuar të Agjendës së Reformave. Sipas GLPS-së, në atë kohë institucionet kishin mohuar mundësinë e humbjeve financiare, ndërsa zhvillimet e mëvonshme, sipas tyre, kanë konfirmuar rreziqet e paralajmëruara.

GLPS-ja thekson gjithashtu se Plani i Rritjes është ndikuar ndjeshëm nga mungesa e konsensusit politik dhe mosfunksionalizimi i plotë institucional, duke penguar zbatimin e një numri të konsiderueshëm reformash të domosdoshme.

Pas publikimit të raporteve zyrtare nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, pritet të bëhet e qartë shkalla e fondeve të zhbllokuara, fondet e rrezikuara për humbje, si dhe reformat e papërmbushura.

Edhe Kosova mund t’i humbasë mbi 100 milionë euro nëse mbetet me institucione jofunksionale Arbëri Kosova mund t’i humbasë mbi 100 milionë euro nëse mbetet me institucione jofunksionale

Në fund, GLPS ka rikujtuar një sërë rekomandimesh për përshpejtimin e zbatimit të reformave, përfshirë krijimin e një task-force të dedikuar, prioritizimin e masave reformuese dhe përgatitjen e listës së ligjeve me prioritet, duke theksuar nevojën për konsultime të rregullta dhe ruajtjen e cilësisë legjislative.

Sipas GLPS-së, formimi dhe koordinimi i qëndrueshëm institucional mbetet kusht kyç për sigurimin e përfitimeve nga Plani i Rritjes, ndërsa çdo vonesë shtesë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.

GLPS u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që çështja të trajtohet me seriozitet të plotë, duke theksuar se përgjegjësia publike matet me mbrojtjen e interesit zhvillimor dhe financiar të qytetarëve të Kosovës.