Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kelmendi: T’i jepet përparësi ndërmjetësimit për zgjidhje të rasteve

Dita e Ndermjetesimit

Udhëheqës të institucioneve gjyqësore e prokuroriale kanë bërë thirrje që për zgjidhjen e kontesteve dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve, t’i jepet prioritet ndërmjetësimit. Qëndrimet u dhanë në Ditën Ndërkombëtare të Ndërmjetësimit.  

Sipas një njoftimi nga Gjykata Supreme, kryetari i këtij institucioni, Fejzullah Rexhepi, ka thënë se “pavarësisht punës së madhe që bëhet sot në gjykata, numri i çështjeve në ardhje është në rritje të vazhdueshme, ndaj alternativat si ndërmjetësimi ndikojnë në lehtësimin e punës së gjykatave, por edhe në zgjidhjen e çështjeve brenda një afati sa më të shkurtër”.

Megjithatë, bazuar në të dhënat e fundit statistikore, ky proces sipas tij ka pësuar rënie. E ai ka thënë se shkaqet dhe arsyet duhet të jenë objekt i vlerësimit të secilit kryetar gjykate, por edhe i vetë Këshillit Gjyqësor.

Kjo gjykatë në komunikatë ka bërë thirrje te të gjithë qytetarët, profesionistët e drejtësisë dhe palët e interesuara që të shfrytëzojnë ndërmjetësimin si mundësi praktike dhe të dobishme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, “duke e parë atë, jo si alternativë dytësore, por si pjesë integrale të kulturës së drejtësisë në Kosovë”.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka inkurajuar kryeprokurorët dhe të gjithë prokurorët që, gjatë ushtrimit të detyrës, të përdorin procedurat alternative, veçanërisht ndërmjetësimin.

Sipas Kelmendit, “kjo është e dobishme edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës, pasi zgjidhja e rasteve përmes ndërmjetësimit iu mundëson atyre të mos evidentohen si persona të dënuar në evidencat penale”.

Edhe Kelmendi kërkon më shumë mbështetje: Mungesa e buxhetit po dëmton drejtësinë Arbëri Kelmendi kërkon më shumë mbështetje: Mungesa e buxhetit po dëmton drejtësinë

“Për më tepër, kjo procedurë ka efekte shumë pozitive, është efikase dhe praktike, sepse kursen kohën dhe zvogëlon koston e shpenzimeve për palët në procedurë”, ka thënë ai. “Në këtë ditë të veçantë të ndërmjetësimit, u bëj thirrje të gjithë kryeprokurorëve, prokurorëve, kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve që ta kenë parasysh dhe t’i japin përparësi procedurës së ndërmjetësimit, sepse në këtë mënyrë kontribuohet në ruajtjen e raporteve të mira ndërnjerëzore mes palëve të përfshira në procedurë”, ka thënë ai.

Ndërmjetësimi nënkupton procedurën jashtëgjyqësore për zgjidhjen e kontesteve dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve, në pajtim me kushtet e parashikuara me ligj.