Gjykata Supreme e Kosovës i ka reaguar Odës së Avokatëve të Kosovës, e cila ka ngritur shqetësimin lidhur me, siç ka thënë, vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve me të cilat caktohet apo vazhdohet masa e paraburgimit.
Në reagimin e Supremes thuhet se pas verifikimeve të kryera, “pretendimet për vonesa sistematike në shqyrtimin e paraburgimeve, rezultojnë të pavërteta”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Çështjet që kanë të bëjnë me caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit trajtohen me urgjencë dhe prioritet të lartë dhe shqyrtohen brenda afateve të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale, si dhe në përputhje me standardet dhe dispozitat ndërkombëtare që garantojnë mbrojtjen e lirisë personale dhe procesin e rregullt ligjor”, thuhet në reagim.
Në reagim thuhet se nëse Oda e Avokatëve të Kosovës i referohet ndonjë rasti konkret, ku pretendohet se ka pasur tejkalim të afateve ligjore apo vonesa të pajustifikuara, ftohet që t’i adresojë të dhënat te kryetari i Gjykatës.
Në reagimin e Odës së Avokatëve të bërë të hënën thuhej në praktikë vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.
“Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve, madje ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak. Vonesa edhe më të theksuara raportohen në procedurat pranë Gjykatës Supreme”, thuhet në reagimin e Odës.
Apeli: Rastet e paraburgimit trajtohen me superprioritet dhe brenda afatit ligjor
Gjykata e Apelit ka sqaruar procedurën dhe afatet ligjore lidhur me shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve për caktimin apo vazhdimin e paraburgimit, duke theksuar se këto raste trajtohen me superprioritet dhe urgjencë, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale (KPP) dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Në përgjigjen e gjykatës thuhet se sipas KPP-së, Apeli vendos për ankesat ndaj vendimeve për caktimin apo vazhdimin e paraburgimit brenda afatit 72-orësh nga paraqitja e përgjigjes në ankesë apo nga skadimi i afatit për paraqitjen e saj.
Në sqarimin e saj, Gjykata e Apelit ka theksuar gjithashtu se procesi i pranimit, regjistrimit dhe dorëzimit të parashtresave apo shkresave zhvillohet përmes gjykatave themelore.
“Pra, ankesa parashtrohet në gjykatën themelore, kurse vendimet e Gjykatës së Apelit i ekspedohen gjykatës themelore përkatëse e cila i dorëzon tek palët”, thuhet në përgjigje.
Gjykata ka bërë të ditur se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes kohës së vendimmarrjes nga Gjykata e Apelit dhe procedurave administrative të pranimit dhe dorëzimit të dokumenteve, të cilat kryhen nga gjykatat themelore.