Komuna e Gjilanit ka vendosur që të lirojë nga obligimet e qiradhënies operatorët privatë dhe ka liruar nga obligimet subjektet të cilat shfrytëzojnë hapësirat publike.
Gjithashtu komuna ka liruar nga pagesa e qiradhënies për 6 muaj të gjitha familjet të cilat jetojnë në ndërtesat komunale. Këto vendime janë prezantuar të martën nga kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në konferencën për shtyp.
Haziri është shprehur se këto masa lehtësuese do të ndihmojnë qytetarët.
”Lirohen nga të gjitha aktivitetet në pagesat e qirasë të gjithë operatorët në komunën e Gjilanit. Po ashtu komuna i liron nga taksa të gjithë ata të cilët shfrytëzojnë hapësirat publike, tarracat dhe vendet e tjera për vitin 2020. Lirohen nga pagesa e qirasë për 6 muaj të gjitha familjet të cilët jetojnë në objekte komunale. Në sektorin e bujqësisë do të krijojmë mundësi subvencionimi për farë misri për mbjelljet pranverore. Mbjelljet do të organizohen nga Drejtoria për Bujqësi dhe bujqit do të punojnë tokat e tyre me leje të veçantë. Jo më shumë se 2 vetë munden të qëndrojnë në tokat e tyre”, ka thënë ai, raporton KOHA.
Kreu i Gjilanit ka deklaruar se organizimi dhe shërbimi i komunës ndaj qytetarëve do të vazhdojnë pavarësisht sfidave që janë krijuar me situatën e pandemisë, derisa është kërkuar një vëmendje e veçantë sa i përket grumbullimit të mbeturinave dhe shkarkimit të tyre në deponinë rajonale. Në këtë pikë është kërkuar koordinim në mes autoriteteve komunale dhe kompanisë së pastrimit “Eko Higjiena”.
Haziri ka kërkuar që prodhuesit vendorë të koordinohen me Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik dhe kërkesat e tyre për pajisje me leje të veçantë për punëtorët të parashtrohen tek Administrata Tatimore e Kosovës. Në konferencë, ai ka përmendur edhe projektin e ndërtimit të infrastrukturës për tregjet në Gjilan i cili do të zhvillohet.
Haziri ka thënë se asnjë shitës nuk do të lejohet që të operojë brenda tregut.
Edhe
Gjilani miraton kërkesën për lirimin e qytetarëve nga tatimi në pronë deri në vlerën 100 euro
“Është projekt 1 milion e 600 mijë eurosh për tregjet që do të ndërtohen në tri lokacione të reja. Tregjet në Kosovë janë mbyllur me vendim të Qeverisë së Kosovës. Dhe tregu në Gjilan do të mbyllet dhe askush nuk mund të shesë asnjë lloj produkti. Nuk mund që të tolerohet asnjë lloj shitje” ka thënë ai.
Ndërkaq nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka deklaruar se brenda këtyre ditëve do të fillohet me shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për familjet me nevojë.
“Jemi në fazën e fundit të grumbullimit të pakove sociale dhe kemi njerëz të vullnetit të mirë dhe kjo po na inspiron më shumë dhe po ndajnë të mirën me ne. Pas takimeve të rregullta me këshillat e fshatrave dhe qytetit dhe me rekomandim të kryetarit, do të fillojmë shpërndarjen e pakove sociale dhe higjienike për të gjithë ata që kanë nevojë. Vlen me cek se mobilizimi qytetar dhe besimi në institucione është i madh, sepse kemi menaxhuar mirë situatën”, ka thënë ai.
-
Pandemia shkatërroi bizneset familjare në Gjilan
-
Haziri: Rënia e infeksionit me COVID-19 në Gjilan nuk lejon komoditet
-
Komuna e Gjilanit heq tarifën për Bibliotekën e Qytetit për tre muajt e parë të vitit 2021
-
Komuna e Gjilanit: Vendimi për masa shtesë ishte i pa menduar mirë dhe i dëmshëm për bizneset