Arbëri

Gjermania i sheh si të dobishme bashkëpunimet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor

Të dobishme për rajonin i konsideron Gjermania bashkëpunimet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Por, derisa nuk ka pranuar ta komentojë iniciativën e Mini-shengenit, nga ky shtet e kanë përmendur përkrahjen që kanë për Tregun e përbashkët Rajonal, të përkrahur nga Procesi i Berlinit. Që të veprojë me mendje të hapur karshi integrimit ekonomik rajonal, kanë kërkuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Por, nga njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare, janë duke e konsideruar të vështirë realizimin e bashkëpunimeve të tilla, shkaku i situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjermania nuk ka pranuar ta komentojë konkretizimin e iniciativës së Minishengenit , i emëruar tashmë si “Ballkani i Hapur”, dhe ndikimin që mund të ketë në projektet e dala nga Procesi i Berlinit.

Në një përgjigje për KOHËN nga Ambasada gjermane, ndonëse nuk përmendet iniciativa në të cilën janë përfshirë vetëm tri shtete, thuhet se përfshirja e të gjitha vendeve është arsyeja që e mbështesin Planin për Tregun e Përbashkët Rajonal

“Çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet në rajon. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim fuqishëm Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal. Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor riafirmuan përkushtimin ndaj këtij projekti historik në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit më 5 korrik. Detyra urgjente tani është përfundimi i negociatave të katër marrëveshjeve mbi udhëtimin me karta identiteti, udhëtimi për qytetarët e vendeve të treta dhe njohjen e kualifikimeve akademike dhe profesionale. Siç nënvizoi kancelarja gjermane, Merkel, përpjekjet duhet të dyfishohen për ta arritur këtë hap të rëndësishëm përpara deri në Samitin BE-Ballkan Perëndimor më 6 tetor”.

Në anën tjetër, iniciativën për bashkëpunim rajonal “Ballkani i Hapur”, të enjten e kanë komentuar edhe nga Ambasada amerikane. Në një përgjigje për KOHËN, nga kjo ambasadë kanë thënë se Kosova duhet t’u qaset “përpjekjeve rajonale të integrimit ekonomik me një mendje të hapur”.

E, sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, suksesi i iniciativave për bashkëpunim rajonal varet nga situata mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë nuk besoj që mund të ketë diçka afatgjate derisa nuk ka barazi brenda kombeve në Ballkanin Perëndimor dhe njëfarë përfaqësimi të barabartë. Nëse këto dy elemente nuk përputhen, do të jetë shumë vështirë implementimi i marrëveshjeve në Serbi”, ka thënë ai.

Derisa përsërisin qëndrimin e tyre se iniciativa “Ballkani i Hapur” nuk ka vizion e është e panevojshme, nga Qeveria e Kosovës thonë se janë duke punuar në jetësimin e marrëveshjeve që ndihmojnë në avancimin e agjendës evropiane.

“Iniciativa e Novi Sadit për Minishengen, e shndërruar së fundmi në “Open Balkan” s’ka të bëjë asgjë me procesin e Berlinit. Procesi i Berlinit mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM) të dalë nga Samiti i Sofjes në nëntorin e vitit të kaluar. Rrjedhimisht kjo iniciativë, siç e kemi thënë më herët, është iniciativë pa vizion për rajonin dhe e panevojshme. Qeveria ka shprehur mbështetje për Procesin e Berlinit dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal, po jep kontributin e saj që të jetësohen marrëveshje të cilat trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet pjesëmarrëse, ku qytetarët janë përfitues përfundimtarë dhe që ndihmojnë në avancimin e agjendës evropiane. Qeveria e ka ndarë propozimin me akterët relevantë. Propozimi i qeverisë për avancimin e CEFTA-s në SEFTA synon të ngritë nivelin e bashkëpunimit rajonal për të gjitha vendet pjesëmarrëse, por edhe nivelin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. Ne shpresojmë se në Samitin e ardhshëm në Slloveni mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor propozimi ynë të jetësohet dhe të lëvizim përpara në agjendën e integrimit, por edhe në avancimin e marrëdhënieve rajonale”.

Në fund të muajit korrik, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia konkretizuan iniciativën e Minishengenit, me nënshkrimin e një marrëveshjeje e dy memorandumeve ndërmjet tyre. Me gjithë thirrjen që kësaj iniciative që tash do të mbajë emrin “Ballkani i Hapur” t’i bashkohen edhe shtetet e tjera, një gjë të tillë janë duke e refuzuar nga Kosova, Bosnjë Hercegovina e Mali i Zi.