Arbëri

BE-ja kërkon angazhim për Tregun e Përbashkët, LDK-ja e AAK-ja pro-refuzimit, PDK-ja hesht

Lidhja Demokratike e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë mirëpritur refuzimin e Qeverisë për t’iu bashkuar nismës rajonale të nënshkruar nga vetëm tri vende të Ballkanit Perëndimor. Iniciativa e Minishengenit që tash do të quhet “Ballkani i Hapur”, nga shoqëria civile vlerësohet se përfitime i sjell vetëm Serbisë, e jo edhe dy vendeve të tjera. Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes e dy memorandumeve në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian

Me thirrjen për angazhimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e tregut të përbashkët rajonal, i është kundërpërgjigjur Bashkimi Evropian nismës së “Mini-Shengenit’, e cila që nga e enjtja ka marrë emrin “Open Ballkan” (“Ballkani i Hapur”). Ndonëse thonë se e mirëpresin përkushtimin e udhëheqësve për bashkëpunim rajonal, nga BE-ja theksojnë se përfshirja e gjithë rajonit është thelbësore në procese të tilla.

“Ne mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero.

Më tutje, në përgjigje thuhet se përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve, Bashkimi Evropian është duke i ofruar rajonit “mundësi të konsiderueshme” të investimit. “Tani i takon rajonit t'i përdorë ato mirë, duke shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke krijuar një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së”.

Në anën tjetër, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike konsiderojnë se nisma “Ballkani i Hapur” është në të mirë vetëm të Serbisë, e jo edhe të vendeve të tjera të rajonit.

Arbër Fetahu nga kjo organizatë, thotë se pozicioni i Qeverisë kundër kësaj iniciative është i duhuri në këtë kohë. “Kosova nuk ka arsye që t’i hapë rrugë për një aspiratë më të madhe ekonomike dhe politike Serbisë kur ajo vetë nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe nuk ka arsye politike ta bëjë këtë gjë edhe në këtë moment politik në të cilin gjendet Kosova marrë parasysh edhe qëndrimin e Serbisë edhe në dialogun Kosovë- Serbi, por edhe kundrejt Kosovës specifikisht tash e disa dekada”.

Sipas Fetahut, iniciativa e “Ballkanit të Hapur” i jep mundësi Serbisë që të zgjerohet edhe më tej në Ballkanin Perëndimor, përkundër tregut të madh që e ka.

Agjenda e vetme e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, thotë Arbër Fetahu nga GLSP, duhet të jetë Bashkimi Evropian.

“Edhe një arsye shtesë pse mendoj që (Kosova) nuk duhet të jetë pjesë e kësaj iniciative është se vetë Ballkani Perëndimor nuk është aty. Tashmë i kemi tri shtete, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Serbinë dhe kemi në mungesë të tri të tjerave, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën edhe ky tentim ka dështuar që në fillim, pasi nuk kemi të bëjmë me Ballkanin, por vetëm me 3 shtete”, thotë ai.

Përveç Qeverisë së Kosovës, kundër nismës së liderëve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Serbisë, të premten janë deklaruar edhe partitë në opozitë, përjashtuar PDK-në.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nëpërmjet një reagimi ka thënë se para bashkëpunimeve të tilla rajonale për heqjen e kufijve duhet të ketë njohje të Kosovës nga Serbia.

“Integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike - secili ndaj secilit. Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe s’i heqim dot as si ‘Mini Schengen’ e as si ‘Open Balkan’. Njohja para bashkëpunimit pa kufij! Ky është qëndrimi im dhe i LDK-së. ‘Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik”, ka shkruar Abdixhiku, derisa ka shtuar se Kosova duhet që për këtë çështje të diskutojë me Shqipërinë.

“Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona - kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga kryeministri ynë - ka bërë që për herë të parë në historinë 30 e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim”, thuhet në reagimin e Abdixhikut.

Vendimin e kryeministrit Albin Kurti, për të mos iu bashkangjitur nismës së iniciuar nga Rama, Zaev e Vuçiq, e ka mirëpritur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Ne i kemi pasur vërejtjet tona për këtë iniciativë, sepse Kosova ka qenë në pozitë jo të barabartë në nisje dhe unë mendoj që është mirë që kryeministri Kurti nuk i është bashkuar në këtë rast për faktin se nuk jemi në pozitë të barabartë dhe nuk mund të shkojmë si të dytë në tavolinë”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për RTSH-në.

Por, për të dhënë një qëndrim lidhur me këtë çështje, kanë nevojë për kohë nga Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se fillimisht do të ketë një konsultim në strukturat e partisë.

“Për këtë gjë do të diskutojmë edhe në organet e partisë dhe do të dalim edhe në konferencë për media”, ka qenë përgjigjja e Lushtakut, kur është pyetur për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, në një konferencë për media, të mbajtur të premten.

Kundërshtimin ndaj iniciativës Rama-Vuçiq-Zaev e ka përsëritur të premten Qeveria e Kosovës. Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla Schwartz, e ka cilësuar këtë nismë si të rrezikshme.

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit ndërkohë të Minishengenit, që nga dita e djeshme të “Ballkanit të Hapur”, e konsiderojmë të rrezikshme. Pse e konsiderojmë të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja sikur përçohet mesazhi sikur kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne e konsiderojmë që është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë Gërvalla nga Shkupi, ku qëndroi të premten për një vizitë zyrtare.

Në një konferencë të përbashkët për media me homologun e saj nga maqedonia Veriore, Bujar Osmanin, ministrja Gërvalla-Schwartz ka përmendur procesin e Berlinit në të cilin janë pjesë të gjitha vendet e rajonit, për çka ka thënë se hapja e nismave paralele nuk paraqet diçka të re.

“Ne kemi një proces të përbashkët rajonal ku jemi të gjitha vendet e rajonit, procesi quhet procesi i Berlinit, aty kemi disa vjet që përpiqemi të shtyjmë përpara marrëveshjet të cilat prekin të gjithë qytetarët tanë. Në këtë iniciativë Republika e Kosovës është partner i barabartë me pesë shtetet e tjera të Ballkanit, dhe ne konsiderojmë që hapja e iniciativave paralele të cilat në thelb nuk paraqesin diçka të re, është e rrezikshme për atë se si ne e shohim vetë në rajon, por edhe si shihemi nga BE-ja. Është përshtypja ime që kjo iniciativë e quajtur më parë minishengen dhe tani “Ballkan i Hapur”, që shtrohet pyetja ndaj kujt, vë një pikëpyetje edhe rreth përcaktimeve gjeostrategjike që ka rajoni ynë, sepse në rajonin tonë jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin përcaktim gjeostrategjik”, ka thënë Gërvalla, derisa u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth minishengenit.

Kërkesa e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Serbisë, që pjesë e iniciativës së tyre ishte të bëhej edhe Kosova, është duke u konsideruar jo e drejtë nga njohës të ekonomisë në vend. Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosova nuk mund të jetë pjesë e këtyre iniciativave vetëm si dekor i tyre. Sipas tij, nuk mund të ketë iniciativa të tilla, nëse qysh në fillim vetëm se je i diskriminuar.

“Të kërkohet nga Kosova që të jetë pjesë e këtyre iniciativave është paksa e tepër, mirëpo Kosova duhet të reflektojë, reflektimi i Kosovës duhet të jetë që ne nuk e kundërshtojmë rrugëtimin e integrimeve evropiane, jemi pjesë e këtyre proceseve por nuk mund të jemi dekor i iniciativave vetëm sa për sy e faqe, duhet eliminim i barrierave dhe duhet të jem të barabartë ”, ka thënë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, kanë thënë se fokusi i Kosovës duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian. Sipas Agim Shahinit, kryetar i AKB-së, nuk mund të ketë iniciativa si “Ballkani i Hapur”, me vetëm tri shtete pjesëmarrëse. “Dje ishte mini-shengen, sot “Ballkani i Hapur”, nesër mund të jetë Ballkanija dhe pasnesër nuk mund të ekzistojë kjo dhe të gjithë në Ballkan duhet të fokusohen më shumë në shengenin e madh e ai është Bashkimi Evropian”.

Nisma e njohur si “Mini-Schengen” që nga e enjtja është emërtuar me emrin “Open Balkan” (“Ballkani i Hapur”). Në nënshkrimin e marrëveshjeve të para në kuadër të saj, liderët e tri shteteve pjesëmarrëse, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë u bënë thirrje për bashkëpunim edhe vendeve të tjera.

Marrëveshjet e nënshkruara mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, atij të Shqipërisë, Edi Rama e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë të bëjnë me bashkëpunimin mes tyre në raste emergjente, si dhe për lehtësira në qarkullimin e mallrave e për lejen e punës.