Arbëri

Gjermani: Një mësuese theret me thikë, i dyshuari raportohet se është nga Kosova

Sulmi Essen

Pamje të shkëputura nga video: Momenti kur policia neutralizon sulmuesin e dyshuar

Një mësuese është sulmuar me thikë në një shkollë profesionale në Esen, në perëndim të Gjermanisë. Mediat gjermane raportojnë se sulmuesi i dyshuar – nxënës në këtë shkollë – është nga Kosova.

Mësuesja ka pësuar lëndime të rënda në stomak, por sipas autoriteteve është jashtë rrezikut për jetë.

Nuk ka persona të tjerë të plagosur në shkollë dhe hetuesit besojnë se mësuesja u shënjestrua qëllimshëm.

Mediat në Gjermani raportuan se sulmuesi i dyshuar, 17-vjeçar, iku nga shkolla pasi sulmoi mësuesen. Ai më pas u lokalizua nga policia në një park.

Teksa policia iu afrua që ta arrestonte, sipas Dpa dhe Bild, i dyshuari vrapoi drejt tyre me thikë në duar dhe policia e qëlloi me armë zjarri.

Sulmuesi i dyshuar është duke u trajtuar në spital pas plagëve të marra.

Në shkollën profesionale në Esen janë parë numër i madh i policisë, përfshirë edhe të njësive speciale.

Një zëdhënës i qytetit tha se shkolla profesionale ka rreth 1.780 nxënës.

VIDEO:

 

Sipas ueb-faqes së shkollës, ky institucion ofron kurse për fushën e ushqimit dhe ekonomisë shtëpiake, si dhe të kujdesit shëndetësor.