Gjendja në arsimin e Komunës së Prizrenit po vlerësohet si shqetësuese nga partitë politike opozitare.
Shkak për këtë, sipas tyre, janë ndërhyrjet politike dhe shkeljet ligjore, të cilat duhet të marrin epilogun në organet e drejtësisë, raporton KOHA.
Në anën tjetër, lidershipi komunal i Prizrenit pretendimet e opozitës i ka konsideruar si të pabazuara në fakte, duke theksuar se të arriturat në arsimin e Prizrenit janë evidente.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës, Pranverim Berisha nga Nisma Socialdemokrate, që inicioi diskutimin për gjendjen në arsim, tha se ndërhyrja e kryetarit Mytaher Haskuka në arsim ka marrë përmasa shqetësuese.
Ai ka numëruar një numër dyshimesh për shkelje në arsim, duke theksuar se me to po merren organet e drejtësisë, ndërkohë që i ka bërë thirrje kryetarit që ta shkarkojë drejtoreshën e Arsimit.
Edhe Simir Krasniqi i PDK-së ka kritikuar gjendjen aktuale në arsimin e Prizrenit, duke pohuar se kryetari dhe drejtoresha në vend se të merren me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, merren me largimin selektiv të drejtorëve të shkollave.
Për dallim prej opozitarëve, këshilltarët e Vetëvendosjes kanë shprehur qëndrimin se shqetësimi për arsimin në Prizren nuk ka të bëjë me drejtor e zëvendësdrejtor, por me ndikimin e pandemisë në procesin arsimor.
Edhe
Haskuka i jep përkrahje Drejtorisë së Arsimit në Prizren
Diskutimet rreth kësaj teme kanë shkaktuar tensionim mes opozitarëve dhe kryetarit të Komunës, ndërkohë që gratë këshilltare kanë kërkuar edhe kujdes për fjalët e përdorura në raport me drejtoreshën e Arsimit.
Në anën tjetër, kryetari Haskuka deklaratat e opozitarëve i ka quajtur të pavërteta dhe ka shfaqur bindjen se të arriturat në arsimin e Prizrenit gjatë tre vjetëve të shkuar janë evidente.
Seanca e jashtëzakonshme e KK-së së Prizrenit për gjendjen në arsim ishte caktuar bazuar në kërkesën e NISMËS, që ishte mbështetur me 23 nënshkrime nga kuvendarët e të gjitha subjekteve opozitare.