Arbëri

Gjenden trupat e pajetë të dy viktimave në Shkodër, dy viktima në Mal të Zi e një në Serbi

Policia Shqiptare ka njoftuar se ka arritur t’i nxjerrë nga lumi i fshatit Bogë trupat e dy personave të cilët që nga e diela kishin rënë me veturë në grykën e quajtur “Lugje” në Malësi të Madhe.

Pas 16 orë kërkimi është arritur të nxirren trupat e një burri bashkë me të birin e tij, nga vetura të cilën e rrëmbeu lumi i hovshëm.

Në këtë rast është shpëtuar vetëm një vajzë, e cila, po ashtu, ishte pasagjere në këtë veturë.

E rajoni i Shkodrës është dëmtuar më së shumti nga vërshimet, me ç’rast raportohet për rreth 600 shtëpi të përmbytura.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia ka kërkuar që të shpallet gjendje emergjente, pasi sipas tij situata nuk është lehtë e menaxhueshme.

Por, në një mbledhje me të gjitha strukturat e Shëndetësisë në zonën e veriut të Shqipërisë, Ministrja Ogerta Manastirliu, ka thënë se gjendja është nën kontroll.

“Gjithë strukturat e sistemit shëndetësor, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, janë në gatishmëri për të koordinuar të gjithë urgjencat e terrenit, në bashkëpunim sigurisht me strukturat e emergjencave civile, Bashkitë, Prefekturat dhe gjithë strukturat e angazhuara të ministrive të linjës, të cilët kanë qenë në terren, për të mbështetur të gjitha ata qytetarë edhe familje që mund të kenë patur problematika në këtë situatë”, ka theksuar Manastriliu.

Përpos në Shkodër, vërshime pati në Lezhë, Fushë-Krujë, Mirditë e Kurbinit. Shqipëria është përballur edhe me reshje të borës, ku disa rrugë janë bllokuar.

Për dëmet që kanë sjellë vërshimet, verbalisht u përplasën kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e kryeministri Edi Rama, të cilët e fajësuan njëri-tjetrin për gjendjen e krijuar.

“Erdha sot pasi kam ndjekur gjatë natës me shqetësim të thellë zhvillimet e paralajmëruara në qarkun e Shkodrës. Erdha për të shprehur solidaritetin tim me banorët e qarkut. Është gjithçka jo dora e Zotit por dora e robit hajdut. Gjatë këtyre ditëve, Rama dhe ministrja e tij Balluku, nuk kanë prodhuar energji, por kanë blerë energji me 226 lekë megavatin në bursë”, ka deklaruara Berisha.

Rama është përgjigjur në Facebook ku akuzoi se opozita po dezinformon.

Përpos në Shqipëri e Kosovë, vërshime pati edhe në vende të tjera rajonit.

Një grua dhe dy fëmijët e saj janë mbytur në Mal të Zi, pasi vetura e tyre u zhyt në ujë.

Ndërsa një djalë dyvjeçar u mbyt pasi ra në një lumë në Serbinë jugore. Të dyja incidentet kanë ndodhur gjatë fundjavës.

Autoritetet në rajonin jugor serb të Rashkës kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të përmbytjeve të mëdha.