Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjenden mbetje mortore pas rifillimit të gërmimeve te “Përzhina” në Rahovec

Mbetje mortore

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka njoftuar se janë gjetur mbetje mortore te lokacioni i njohur si “Përzhina” në Rahovec si dhe janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas njoftimit, nuk dihet numri i saktë i personave dhe identiteti i tyre nga mbetjet mortore të cilat janë gjetur sot por këto informacione do të mund të konfirmohen pas analizave forenzike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjatë gërmimeve të realizuara sot janë gjetur mbetje mortore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar për ekzaminim në Institutin për Mjekësi Ligjore, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet forenzike. Numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të mund të konfirmohen vetëm pas përfundimit të analizave përkatëse forenzike”, thuhet në njoftim.

Në këtë lokacion rifilluan gërmimet pasi u ndërprenë në dhjetor të vitit të kaluar si pasojë e motit.

“Gjatë aktiviteteve të zhvilluara në muajin dhjetor të vitit të kaluar, janë realizuar gërmime vlerësuese vetëm në një sektor apo hapësirë të zonës së interesit, me ç’rast janë zhvarrosur mbetje mortore të dy individëve, si dhe janë gjetur disa pjesë kockore. Për shkak të kushteve të motit dhe disa faktorëve operacionalë, si dhe duke pasur parasysh sipërfaqen e madhe që kërkon verifikim dhe shqyrtimin e informatave shtesë, punimet në këtë lokacion ishin ndërprerë përkohësisht”, thuhet tutje në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë gërmimeve treditore në Përzhin të Rahovecit u gjetën eshtrat e dy personave të cilët dyshohet se janë zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999. Në këtë lokacion, ku më herët patën bërë kërkime edhe ekipe të Tribunalit të Hagës e të UNMIK-ut, dyshimet ishin se ndodhen mbetje mortore të tetë viktimave.

Gjatë 2025-s, gërmime u kryen në 33 lokacione e janë gjetur mbetje mortore të 22 individëve. Procesi pritet të vazhdojë më 2026.

Nga lufta e fundit në Kosovë (1998-1999), të zhdukur janë edhe 1 mijë e 577 persona.