Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjatë gërmimeve në veri, gjenden mbetje mortore të së paku dy personave

Kërkimet për mbetje mortore të të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, këtë të mërkurë, kanë vazhduar në Mitrovicën e Veriut.

Në varrezat e besimtarëve myslimanë janë gjetur mbetje mortore të së paku 2 personave, megjithëse përfaqësuesi i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Kushtrim Gara, tregon se aty po mendohet se janë edhe trupat e së paku 5 personave tjerë, raporton KTV.

Ndërkaq, Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore thotë që ky lokacion në Veri të Mitrovicës është i 27-i dhe i fundit që gërmohet këtë vit.

Mirëpo, me punën e institucioneve të Kosovës nuk janë të kënaqur familjarët e të zhdukurve. Sipas tyre, te varrezat e myslimanëve në veri, ata kanë informacione se janë trupat e së paku 15 personave të tjerë.

Ndërkaq, së fundmi, me urdhër të Prokurorisë Speciale është gërmuar edhe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, por pa ndonjë rezultat.

Gjatë këtij vitit, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka gjetur eshtrat e 10 personave dhe ka bërë ribashkimin e 18 prej tyre.