Banorët e Fshatit të Vjetër, Talinocit, Bibajt, Dardanisë, Zllatarit dhe Sojevës, të Komunës së Ferizajt, përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Ata fajësojnë autoritetet, meqë projekti i ndërtimit të fabrikës së re të ujit është duke u zvarritur prej 7 vjetësh. Ata kanë adresuar ankesa e peticione në komunë dhe në KRU “Bifurkacioni” për zgjidhjen që nuk u është bërë
Prej vitit 2016 është duke u zvarritur funksionalizimi i fabrikës së re të ujit në fshatin Talinoc të Komunës së Ferizajt. Ndërkaq si pasojë e kësaj, Fshati i Vjetër, Talinoci, Bibaj, Dardania, Zllatari, Sojeva dhe disa të tjera po përballen me mungesë të ujit.
Banorët kanë adresuar disa herë ankesa e peticione, por deri tash ato nuk janë marrë në konsideratë.
Me gjendje më të rëndë po përballen banorët e Zllatarit.
“Mungesë të ujit kemi prej që ekziston ky fshat. Kërkesat tona kanë qenë të vazhdueshme që nga paslufta për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit. Tani ka filluar vendosja e rrjetit të ujësjellësit me një vonesë pasi që edhe vetë projekti i fabrikës së ujit – prej vitit 2016 është marrë një kredi nga Austria dhe në vitin 2019 është votuar në Kuvendin Komunal të Ferizajt, por punimet kanë nisur me zvarritje. Edhe sot, siç e shihni, që është ditë pune, kompania mungon dhe nuk është në vendin e punës”, ka thënë Xhevat Sallahu, përfaqësues i fshatit Zllatar.
Ujin e pijshëm banorët detyrohen ta marrin në puse e për të cilin thonë se nuk është cilësor.
“Uji mungon prej kohësh. Dikush ka puse në oborr e dikush nuk ka. Ndërkaq dikush e merr prej dikujt tjetër, andaj ka pasur edhe puse të cilat i ka hapur KFOR-i amerikan nëpër fshat”, ka thënë Haxhi Ahmeti, banor.
Në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni” thanë se për mosfunksionalizim të fabrikës së ujit kompetent është Komuna, pasi që ende nuk i ka përfunduar punimet.
“Ajo që është kërkuar nga ‘Bifurkacioni’ është realizuar, sepse është kërkuar që stafi të dërgohet atje që të ambientohen me fabrikën, me fitu përvojën e nevojshme për ta marrë nën menaxhim ne. Ne punëtorët i kemi dërguar atje qe një vit e dy muaj, por ende nuk është lëshuar në punë fabrika për arsyeje se i ka disa probleme teknike që ende operatori ekonomik nuk i ka rregulluar”, ka theksuar Jeton Shabani, drejtor t “Bifurkacionit”.
E, drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, Meriton Hajdini, është zotuar se brenda këtij viti do të funksionalizohet fabrika dhe të gjitha fshatrat përreth nuk do të kenë më telashe me ujë.
“Pothuajse janë përfunduar të gjitha punimet në fabrikën e ujit, andaj jemi duke punuar për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në disa fshatra. Në Sojevë ka përfunduar rrjeti gjatë muajit të fundit, gjithashtu jemi duke punuar në fshatrat Zllatar dhe Dardani. Këto fshatra do të jenë të përfshira në fabrikën e re të ujit, e cila do të ketë furnizim të mjaftueshëm për këto fshatra”, ka thënë Hajdini.
Autoritetet komunale theksuan se telashe ka pasur edhe me sistemin e digjitalizimit të fabrikës, për të cilën tashmë është kontraktuar një kompani jashtë vendit.