Arbëri

Gërvalla: Nuk kemi asnjë njohje të re në tavolinë, por nuk ka as çnjohje

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është shprehur optimiste se në fundin e vitit 2023 Kosova do të anëtarësohet në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Para Komisionit për Punë të Jashtme, ajo ka thënë se nuk ka asnjë njohje të re, megjithatë pohoi se ka lëvizje në këtë drejtim.

“Rekomandim i partnerëve që të aplikojmë fillimisht në Partneritetin për Paqe. Jam optimiste për vitin 2023 për Partneritetin për Paqe dhe shpresojmë se fundi i vitit 2023 do ta gjejë Kosovën anëtare të Partneritetit për Paqe. Sa i përket njohjeve të reja, nuk kemi asnjë njohje të re në tavolinë, por ka lëvizje. Nuk mund t'i shpërfaq hapat këtu. Ka pasur fushatë për ç’njohje nga Serbia por nuk kemi informata se është tërhequr ndonjë njohje. Serbia po mundohet të josh me armatime”.

Gërvalla ka thënë se para dorëzimit të aplikimit në BE ka pasur ekipe të veçanta. Ka theksuar se do të jetë “rrugë e gjatë, plot sfida, por e domosdoshme nëse Kosova nuk dëshiron të devijojë nga rruga e integrimit”.

Ajo ka deklaruar se ka strategji të reja për bashkëpunim me mërgatën.

“Strategji të reja për bashkëpunim me mërgatën. Sfera ku nuk ka rezultate është sfera e mësimit në gjuhën shqipe dhe duhet të punojnë pasi është diçka që nuk lidhet vetëm me Kosovën, por është e ndërlidhur me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut. Raportin për shkak të angazhimeve nuk kemi mundur me sjellë. Do ta merrni më vonë”.

Kryetari i komisionit, Haki Abazi, është shprehur i pakënaqur me organizimin e konferencës me ambasadorë, duke thënë se anëtarët e komisionit është dashur të ftohen.

“I pakënaqur me konferencën e ambasadorëve, nuk jemi ftuar, nuk jemi caktuar në panelet ku është diskutuar. Duhet një reflektim qoftë edhe nëse ka arsye personale. Na kujtohet biseda në korridor në kuvend, kur thatë se nuk ndodh agresioni rus, prandaj duhen përpjekje për koordinim. Punët pozitive vijnë nëse ka bashkëbisedim e kohezion mes nesh”.

Ndërkaq, Gërvalla është përgjigjur se për të tjerët organizimi ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Keni qenë të mirëseardhur në konferencën e suksesshme. Po e shoh që nuk iu ka pëlqyer por për neve po dhe ashtu e kemi planifikuar organizimin. Nuk jam për t'i komentuar bisedat korridoreve, kemi bërë edhe të tjera, jo vetëm kjo që nuk po më kujtohet mua”.

Abazi ka pyetur për përgatitjet në samitin e Këshillit të Evropës.

“Serbia po bënë bullizime për Kosovën me anëtarët e KE-së për samitin e majit, veçmas Islandën. Çfarë po bëhet për t'iu kundërvënë?”

Gërvalla ka thënë se po punojnë për t’i luftuar narrativat e Serbisë.

“Që kur kemi hapur bisedën me partnerët na kanë thënë se Serbia do të kundërshtojë fortë. Të gjithë, nisur nga presidentja, kryeministri e deputetët kemi kontribuar në këtë proces. Kam dëgju për kërcënimin ndaj Islandës se Serbia nuk ia mbështet samitin në maj. Por ne po punojmë për t’i luftuar këto narrativa”.

Ndërkohë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka ngritur disa pyetje.

“Nuk keni lejuar qasje në dokumente, pse nuk keni treguar shpenzimet e burrit të presidentes? Keni shkarkuar jashtëligjshëm shumë diplomatë, nuk po i pranoni vendimet e gjykatave, dhe për këtë ministria do të gjobitet”.