Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gërvalla në NATO: Kosova u dëshmua si kontributdhënëse për paqe

Ministrja e jashtme e Kosoves, Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, njëherit zëvendëskryeministre, ka thënë se Kosova është e gatshme të nisë dialogun dhe procesin e konkretizimit të raporteve me NATO-n, duke u shprehur se Kosova u dëshmua si kontributdhënëse për paqe e siguri.

Gërvalla ka vizituar të martën selinë qendrore të NATO-s, derisa MPJD-ja njoftoi në një komunikatë se ministrja është shprehur se “Kosova i ka përqafuar vlerat euroatlantike”.

“Ministrja Gërvalla tutje ka theksuar se Republika e Kosovës është e gatshme dhe e vendosur të fillojë dialogun dhe procesin e konkretizimit të marrëdhënieve tona, duke vënë në pah se Kosova si faktor kyç dhe i dëshmuar si kontributdhënëse për paqe dhe siguri në rajon dhe përtej i ka përqafuar vlerat euroatlantike, të cilat i ndan me aleatët, miqtë dhe partnerët e saj ndërkombëtarë. Vëmendje e veçantë gjatë këtij takimi kanë zënë dhe aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke nënvizuar obstruksionet dhe sulmet e vazhdueshme të Serbisë si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të influencave të huaja për destabilizim të Kosovës dhe rajonit, në veçanti asaj ruse në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatë.

Gërvalla u tha se e ka falënderuar NATO-n për mbështetjen, derisa ka potencuar se është i domosdoshëm përparimi i proceseve integruese “deri në anëtarësim të plotë”.