Arbëri

Gërvalla: As 5.000 trupa të NATO-s s’e ndalën Serbinë e Rusinë në Kosovë

Donika Gërvalla

Në takimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’ia bllokojë Serbisë negociatat për anëtarësim, duke përmendur sulmet e armatosura në veri dhe ndërhyrjen ushtarake “në një vend me prani të lartë të NATO-s”.

Gërvalla ka thënë të hënën se Serbia po i kopjon strategjitë ruse dhe po i përshtat në kontekstin rajonal, derisa përmendi sulmi e armatosur të Banjskës.

“Serbia po i kopjon strategjitë ruse dhe po i përshtat në kontekstin rajonal. Rusia është thellë e rrënjosur në strukturat e Serbisë, jo vetëm në ekonomi, por edhe në shërbime të inteligjencës...Në shtator të 2023-s thamë se Serbia me 100 trupa paramilitarë, jo 30 si është raportuar, të pajisur me armë të rënda direkt nga arsenali ushtarak serb e pajisje për 400 trupa, ishte në gatishmëri për të hyrë në vendin tonë. Me këtë ndërmori përpjekjen e parë për një ndërhyrje ushtarake në një vend me prani të lartë të NATO-s”, ka thënë Gërvalla.

Kryediplomatja e Kosovës ka deklaruar para Komitetit për Punë të Jashtme se nëpërmjet sulmeve të armatosura Serbia po teston se çka mund të tolerojë Perëndimi. Ajo përmendi edhe lidershipin serb, duke thënë se Beogradi zyrtar nuk e do Evropën, por eurot.

“...As 5.000 trupa të NATO-s s’e ndalën Serbinë e Rusinë. Kjo s’ka të bëjë me tensione etnike. S'ka të bëjë me veriun e Kosovës. S’ka të bëjë me një mosmarrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Ajo që po ndodh prej vitesh para syve tanë është konfrontimi i përshkallëzuar me qëllim se çfarë është i gatshëm Perëndimi të tolerojë. S’ka më kohë, duhet të përçohen sinjale të qarta. S’mund të tolerojmë situatën ku ka paralajmërime nga Baltiku e Ballkanit e këto të mos dëgjohen. Sa i përket këtij sulmi (në Varagë të Zubin-Potokut v.j), partia e z.Scholz ka thënë se nëse Serbia e ka bërë këtë, kjo duhet ta ndalojë që ta bllokojë rrugën e Serbisë drejt negociatave me BE-në. Jo vetëm për shkak të Kosovës, por për shkak të stabilitetit të Evropës”, ka shtuar Gërvalla.

Eurodeputetët kërkojnë hetim ndërkombëtar për sulmin në Varagë

1 muaj më parë / 2 dhj 2024 19:15
Thomas Waitz

Thomas Waitz, eurodeputet nga Austria

Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian ka debatuar për sulmin terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Kryetari i këtij komisioni, David McAllister, shprehu shqetësimin e PE-së për sulmet e fundit në veri të Kosovës, teksa rikujtoi se Parlamenti Evropian ka dënuar fuqishëm këto akte, që tha se e destabilizojnë Kosovën.

Ndërkohë, disa deputetë të Parlamentit Evropian, edhe pse kanë shprehur solidaritetin me Kosovën, kanë thënë se duhet të shohin më shumë prova rreth përfshirjes së autoriteteve të Serbisë në sulmet në veri dhe disa prej tyre kanë kërkuar hetim ndërkombëtar.

“Faleminderit për këtë prezantim goxha tronditës por edhe të qartë. Të gjithë kemi arsye për të refletuar mbi këtë situatë, dhe të gjitha vrojtimet që patët mbi atë që ka ndodhur. Kur ta kemi presidentin Vuçiq në Bruksel nesër, do të shohim si do të reagojë. Duhet të shohim se çfarë ka ndodhur. Sigurisht se duhet të kontrollohen të gjitha dokumentet, megjithëse mund të jetë e vështirë të kuptohet çdo gjë. Janë bërë pretendime goxha serioze, por pyetja e parë doi të ishte çfarë provash tashmë janë vënë në dispozicion në mbështetje të këtyre pretendimeve apo akuzave. Besoj fuqimisht se edhe organi ekzekutiv siç është Komisioni Evropian do të duhej t’i merrte këto gjëra shumë seriozisht nëse të gjitha këto që i keni thënë ju dëshmohen të vërteta. Por duhet të kemi fakte”, tha Michael Gahler eurodeputet nga Gjermania pas fjalimit të Donika Gërvallës.

Nacho Sánchez Amor është një eurodeputet spanjoll tha se shpreh bashkëndjensinë me autoritetet e Kosovës. “E kuptojmë se qeveria juaj ndodhet në një situatë goxha të rëndë dhe shprehim mbështetjen tonë për të gjithë njerëzit e prekur dhe popullatën tuaj. Ju folët për prapavijën historike dhe sigurisht të kaluarën që ka ndodhur nga Serbia mbi vendin tuaj, dhe pastaj edhe mediat serbe kundër shtetit tuaj. Ju përmendetën edhe qëndrimet politike të presidentit Vuçiq si propagandë dhe pastaj miqësitë e tij të rrezikshme, por mënyra se si përshkruat incidentin nuk besoj që mjafton për ta marrë si të vërtetë. Ju përmendet grupet kriminale të kontrolluara nga Serbia që sulmet çojnë drejt orkestrimit nga Beogradi, por është e vështirë të veprohet nëse nuk ofrohen prova më bindëse se ka një përgjegjësi të tillë”, ka thënë ai.

Thomas Waitz eurodeputet nga Austria vuri në pah nevojën për një hetim ndërkombëtar të rastit në Varagë të Zubin Potokut. “E mirëpres faktin që Serbia ka thënë se dëshiron të jetë pjesë e hetimit, por e mbaj mend që edhe pas Banjskës e kanë thënë të njëjtën gjë, por që nuk ka ndodhur asgjë më tutje. Duhet të shihet se kush është përgjegjës. Qeveria serbe duhet ta theksoj se shumë nga ata janë në Serbi, janë të komunitetit serb dhe normalisht kanë marrë një orientim ekstremist dhe kjo duhet të theksohet edhe në bazë të ngjarjeve që kanë ndodhur. Unë pres që Qeveria e Serbisë të shpreh gatishmërinë të luftojë këta terroristë edhe brenda territorit të Serbisë”, është shprehur ai, teksa i bëri thirrje pesë vendeve të BE-së që ta njohin Kosovën.

“Fakti që jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën është pjesë e mesazhit që i kemi përçuar Rusisë dhe gjithë atyre që synojnë destabilizim. Është koha e fundit që pesë shtetet e mbetura të BE-së ta njohin Kosovën si shtet i pavarur dhe ky është sinjali kyç që ta promovojmë paqen dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, ka thënë Waitz.

Ndërkaq, pas fjalimeve të eurodeputetëve të pranishmëve iu ka adresuar sërish kryediplomatja Gërvalla. Ajo ka rikujtuar se pas sulmit në Varagë, Policia e Kosovës ka sekuestruar një arsenal armësh. “Ka pasur arrestim të disa të dyshuarve dhe është gjetur një mori e madhe uniformash e pajisjesh e municionesh ushtarake, të cilat janë marrë nga fabrikat drejtpërdrejt nga Serbia. Sa i përket provave sigurisht se është e qartë se janë vetëm dy ditë e gjysmë nga ky sulm i tmerrshëm që është dizajnuar për të ndërprerë ujësjellësin, energjinë elektrike dhe telekomunikacionin për më shumë se gjysmën e popullatës së shtetit. Ka pasur paralajmërime për sulme të tilla.  Sigurisht se do të ketë hetim të mirëfilltë, por nuk mund të presim vetëm provat fizike para se të mendojmë se kush mund të jetë shkaktari i këtyre aksioneve, sepse Serbia sigurisht ka motiv për ta destabilizuar Kosovën”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka thënë është shumë me rëndësi ta theksojmë se përkundër faktit që këto sulme do të mund të ishin të përgatitura vetëm nga ekspertë, sepse janë materiale që nuk mund të blihen në treg të zi.

“Vetë lokacioni i eksplodimit tregon se është dikush që e dinte shumë e mirë se çfarë po bënte. Nëse vazhdoni me këtë qëndrim ta mbani në rrugëtimin e vet Serbinë drejt BE-së nuk do të ketë kurrfarë motivi që ta ndalë këtë llojë veprimtarie dhe pastaj të zgjerojë edhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe vendet e tjera përrreth. Ju kërkoj përkrahjen tuaj që së bashku t’i bëjmë presion Serbisë, sepse përndryshe do të vazhdojë me të njëjtën gjë”, ka nënvizuar Gërvalla./Rtk

Gërvalla: Garantojmë për gjykim të drejtë ndaj Radoiçiqit

1 muaj më parë / 2 dhj 2024 18:53
Donika Gërvalla

Në takimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Kosova i garanton gjykim të drejtë kryeterroristit Milan Radoiçiq, por ajo tha se Serbia duhet ta dorëzojë atë.

Sipas Gërvallës, Serbisë duhet t’i bëhet presion që ta pranojë sulmin në Banjskë më 24 shtator të 2023-s, duke shtuar se nëpërmjet këtij sulmi të armatosur u tentua të okupohej një pjesë e territorit të Kosovës.

“Ne mund të garantojmë që do të ketë gjykim të drejtë, por ky person (Milan Radoiçiq v.j.) duhet të mbahet përgjegjës për të gjithë atë aksion, atë grup paramilitar që kanë dashur të okupojnë një pjesë të territorit tonë për të formuar një korridor për ushtrinë serbe, që do të mund të hynte më pas së brendshmi. E për këtë është mirë t'i shmangim çështjet teknike e në ditët në vijim institucionet tona të sigurisë po punojnë në këtë drejtim e çdo ditë po konfiskohen materiale të tilla, me lidhjen e drejtpërdrejt me sulmin, pajisje shpërthyese që mbi të gjitha duhet të ketë pasoja politika që t’i vuajë Serbia për shkak se refuzojnë të pranojnë se kanë qenë prapa kësaj”, ka thënë Gërvalla.

Sipas kryediplomates të Kosovës, sulmet serbe në Kosovë janë kryer nga ekspertë dhe me materiale që s’mund të blihen në “treg të zi”, duke u shprehur se lokacioni i eksplozivit tregon se sulmet ishin të organizuara.

Ajo përmendi edhe zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt të 2025-s.

“Po të përdornim këtë si bazë e politikës evropiane, nuk do të arrinim të zgjidhnim asnjë lloj çështje në të ardhmen. Është e qartë se do të mbajmë zgjedhje në vitin e ardhshëm në shkurt, por njerëzit në Kosovë janë shumë të qëndrueshëm e më shumë se kushdo tjetër, ne i kemi përdorur votat për ta çliruar veten nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Është me rëndësi që ta theksojmë sepse përkundër faktit që këto sulme do të mund të ishin përgatitur nga ekspertë pasi janë materiale që s’mund të blihen në treg të zi. Vetëm lokacioni i eksplozivit tregon se është dikush që dinte se çfarë po bënte”, ka shtuar ajo.