Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gërvalla mbështet Berishajn: Nuk shkarkohet ambasadori në bazë të një raportimi të një mediumi

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka dalë në mbrojtje ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që qe implikuar në një skandal financiar në Slloveni.

Emri i Berishajt është krahas kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob, që i ka fituar zgjedhjet. Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting. Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro, të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. Vetë Berishaj i ka mohuar këto akuza dhe ka paralajmëruar padi ndaj mediumit slloven, ndërsa krerët e shtetit i kanë dalë në mbrojtje.

“Kam marrë një deklaratë disafaqëshe të ambasadorit. Ai ka qenë në ministri. Kemi biseduar gjerë e gjatë rreth asaj që ende e konsiderojmë kampanjë të bazuar në një shkrim të një mediumi slloven. Kam biseduar me autoritetet e shteteve të ndryshme dhe deri tash s’ka asnjë indikacion se akuzat e përmendura në atë raport mund të ketë diçka të vërtetë në të. Përkundrazi ka raportime të mediave tjera që e tregojnë të kundërtën e saj. Ambasadori nuk pezullohet apo shkarkohet në bazë të informacionit të një mediumi. Prokuroria e Malit të Zi tha se ka pasur hetime dhe ka rezultuar që s’ka asnjë vepër penale që mund ta ketë kryer ambasadori Berishaj. Ky është pozicioni ynë deri tani. Në mungesë të një indikacioni të vetëm kundër tij, ai gëzon besimin tonë dhe vazhdon punën”, ka thënë Gërvalla të premten në një konferencë për media.