Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka përkrahur ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, pas përplasjes që ai pati me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi.
Pas ngjarjes të së martës, midis ministrit Peci dhe deputetes Musliu, kryediplomatja e Kosovës tha se Peci është “imun ndaj provokimeve të shëmtuara”.
Me anë të një postimi në Facebook, Gërvalla e lavdëroi ministrin e Bujqësisë.
“Guximtar mendjemprehtë. Imun ndaj provokimeve të shëmtuara. I urtë në fjalë, shumë i vendosur në punë”, shkroi ajo. “Ndërtimi i shtetit ligjor dhe reformimi i institucioneve janë bërthama e ndryshimit të premtuar në zgjedhjet e 14 shkurtit”.
Gërvalla e Peci janë pjesë e Listës “Guxo”, që në zgjedhjet e fundit ka garuar në kuadër të Vetëvendosjes.
Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Bujqësi, derisa ishte duke raportuar ministri Peci, deputetja Musliu e quajti atë “rrugaç”, e më pas hodhi ujë në drejtim të tij.
Ministri më pas u ngrit në këmbë duke thënë se “s’ka me vjedhë më”. “Gjuani ujë ose plumba qysh keni gju më herët se nuk do të ndalem”, tha Peci.