(Kosovapress) - Prishtina vazhdon të jetë komuna me numrin me të lartë të pacientëve të infektuar me koronavirus, por përkundër kësaj Qendrat Mjekësore Familjare në këtë komunë tash e tre muaj nuk janë furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë me barna e pajisje të listës esenciale.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi i cili tha se këto mungesa në furnizim janë duke u munduar t’i mbulojnë me kontratat vetanake të Komunës.
Por siç tha ai edhe ato kontrata tashmë pothuajse janë shpenzuar.
“Tre muajt e fundit kemi pasur disa probleme në furnizimin nga lista esenciale nga Ministria e Shëndetësisë të cilat jemi munduar që t’i mbulojmë nga kontratat vetanake. Mirëpo të cilat nuk i kemi në pakufi dhe të pashtershme edhe ato e kanë një limit dhe i kemi shpenzuar duke u munduar që t’i ruajmë kapacitetet tona”, theksoi Gashi.
Gashi për KosovaPress ka deklaruar se tashmë në kryeqytet numri i rasteve aktive është dyfishuar dhe kjo si pasojë e fushatës së partive politike dhe pakujdesisë së qytetarëve.
Edhe
Rreth 400 pacientë në ditë me COVID-19 në Prishtinë kërkojnë ndihmë mjekësore
Ai tha se krahas rasteve pozitive në komunën e Prishtinës janë rritur edhe kërkesat për shërbime mjekësore të cilat ofrohen në Mjekësinë Familjare në Kalabri.
“Tani i kemi rreth 2700 raste aktive në kryeqytet kur para një muaji kishim 1100 është më shumë se dyfishi, duke iu falënderuar parafushatës dhe fushatës si një prej faktorëve kryesor, por normalisht edhe një lirie të madhe ose një pakujdesie në përgjithësi nëpër të gjithë sektorët për mos t’ia hedh fajin vetëm fushatës, por po e vendosi theksin në atë. Tani kemi një numër shumë më të madh të rasteve. Numrat nuk më shqetësojnë, më shqetësojnë kërkesat e qytetarëve për ndihmë të cilat javën e fundit janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe këtë e matim me parametrin e qytetarëve të cilët kërkojnë shërbime në qendrën numër 7 në Emshir për terapi paranterale, infuzione dhe trajtim paranteral“, theksoi Gashi.
Drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet shprehet kundër shtimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, por shton se duhet të rritet mbikëqyrja dhe zbatimi i masave aktuale.
Ai thekson se janë duke i analizuar rastet spitalore dhe nëse do të ketë nevojë do të shtojnë kapacitet në Qendrën Mjekësore Familjare në Kalabri ku tash e sa muaj ofrohen shërbime mjekësore vetëm për pacientët me koronavirus.
Edhe
Në Prishtinë janë 60 raste aktive me koronavirus
Brenda 24 orëve të fundit në Kosovë me koronavirus pozitivë kanë rezultuar 574 raste, kurse betejën me COVID-19 e kanë humbur 13 pacientë.
Numri i rasteve aktive është 11 mijë e 58 persona, ndërsa numri total i rasteve pozitive është 77.827.