SOT

Gripi sezonal, QMF-të mbushen me pacientë

Ditëve të fundit qendrat e mjekësisë familjare të vendit janë të mbushura me pacientë të cilët kërkojnë ndihmë mjekësorë për shkak të gripit sezonal. Ky grip po shkakton probleme dhe komplikime të mëdha shëndetësore. Në këtë rast IKSHPK-ja ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal, në veçanti kujdes të shtuar të kenë të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme të theksuara shëndetësore.

Pacientë të shumtë po hyjnë e dalin nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Përhapja e gripit sezonal ka bërë që qytetarët të kërkojnë ndihmë në qendrat e shëndetit parësor në të gjithë vendin.

Kollë, ethe, temperaturë e rrjedhje të hundëve janë simptomat më të përhapura tek ta dhe kjo ka bërë që QMF-të të jenë të stërmbushura.

Drejtori i QKMF-së në Prishtinë, doktor Bujar Gashi, thotë se më të ngarkuara kanë qenë tri javët e fundit.

“Në përgjithësi kemi rritje të shtuar të pacientëve që kërkojnë vizita kohëve të fundit. Pacientët që kërkojnë ndihmë janë pacientë që iu përgjigjen simptomave të viruseve sezonale që ekzistojnë. Nuk mund të themi se cili virus është duke i shkaktuar, ato vërtetohen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike pas analizave të nevojshme. Mirëpo, pacientët janë me simptoma të ngjashme me ato të gripit sezonal”, tha Gashi.

Sipas Gashit, këto ditë ka qenë e nevojshme edhe rritja e stafit në qendrat kujdestare të mjekësisë familjare.

“Periudhë pas periudhe ka qenë më e ngarkuar java e fundit. Java e fundit e dhjetorit dhe fillimi i janarit janë më të ngarkuara. Në këtë fazë kemi viroza të pranishme, nuk ka ndryshim nga viti i kaluar, mund të jetë 5-10 për qind më shumë sesa vitin e kaluar. Jemi duke u munduar ta përballojmë këtë fluks. Ka rastis të jetë më shumë gjatë ditëve të festave kur edhe në qendrat tona normalisht ka një numër më të vogël që punojnë. Mirëpo ka rastis të jenë këto viroza që e kanë mbingarkuar. Këto ditë e kemi shtuar stafin në qendrat kujdestare dhe e kemi përballuar mirë. Çdo ndryshim i numrit të rritjes së pacientëve 5-10 për qind na e vështirëson situatën.”

Gashi udhëzon që qytetarët të kenë kujdes dhe të qëndrojnë në shtëpi.

“Simptoma janë të ngjashme si virozat e zakonshme. Ethe, temperaturë, kollë, rrjedhje të hundëve. Preferohet pushim i pacientëve që preken nga ky virus, t’u ikin turmave. Të qëndrojnë në shtëpi, të qëndrojnë në ambient të ngrohtë, të marrin lëngje sa më shumë dhe në rast temperature të marrin paracetamol. Në rast se këto simptoma nuk kalojnë , atëherë të lajmërohen te mjeku familjar”, tha Gashi.

Por nga gjithë kjo mbingarkesë, drejtori i QKMF-së thotë se është i vogël numri i rasteve që udhëzohen për në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

“Me këto viroza preken më shumë pacientë me imunitet të dobësuar apo sëmundje kronike. Këta pacientë në kushte më të rënda shëndetësore edhe udhëzohen, mirëpo numri i  raportimeve për udhëzim në QKUK është shumë i vogël”, tha Gashi.

Edhe nga IKSHPK-ja e konfirmojnë se kemi të bëjmë me raste të shtuara të gripit sezonal.

Faik Hoti, thotë se në janar rritja e gripit sezonal konsiderohet e shkallës së mesme dhe e lartë, ndërsa bën thirrje për vaksinim duke theksuar se ato nuk kanë asnjë efekt anësor.

“Vaksina kundër gripit sezonal është e sigurt dhe nuk ka efekte anësore dhe është prej viteve në qarkullim. Shohim se kemi rritje të rasteve  që kërkojnë mjekim në qendra parësore shëndetësore. Jo të gjithë janë më grip, mund të ketë edhe infeksion apo sëmundje të tjera respiratore. Deri në fund të vitit kemi pasur 95 raste të konfirmuar. Po flas për sezonin që llogaritet të fillojë në shtator, por mund të ketë më shumë raste pasi jo çdo person që preket nga gripi sezonal kontrollohet nga mjeku. Kjo nuk duhet të merret me shqetësim por me kujdes,  por rritja është karakteristikë e muajit janar dhe ne në bazë të analizave javore dhe momentalisht intensiteti i gripit është në shkallën që ne e identifikojmë si i mesëm i lartë. Prandaj ne bëjmë thirrje për vaksinim në veçanti për personat me sëmundje kronike, personat mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në moshën 6-vjeçare”, tha Hoti.

Ditëve të fundit IKSHPK-ja ka paralajmëruar për kujdes të shtuar edhe për Meta Pneumovirusin, që është përhapur mjaft shumë në Kinë.

Sipas Hotit, nuk ka të bëjë me një pandemi të re të mundshme, pasi ky grip ekziston qe disa vjet.

Më së shumti nga ky virus po preken fëmijët deri në moshën pesëvjeçare.
“Bëhet fjalë për një virus të njohur që nga viti 2021 dhe nuk bëhet fjalë për një pandemi, por për rritje të rasteve kryesisht te fëmijët.  Bëhet fjalë për Meta Pneumovirusin, i cili nuk është i panjohur për shkencën pasi në qarkullim është prej 50 vjetësh. Ka raste të regjistruara edhe në Indi. Shkencëtarët llogarisin që çdo fëmijë deri  në ditëlindjen e tij të pestë do të mund të ndeshet njëherë me këtë virus. Nuk duket të ketë premisa të shndërrohet në një pandemi. Të ndodh ajo siç ka ndodhur me COVID-19, duhet të ketë një patogjen të ri, diçka të panjohur për shkencën e që në këtë rast nuk kemi të bëjmë me diçka të tillë”, tha Hoti.

Ai tregon simptomat e këtij virusi për të cilën nuk ka ende të dhëna që është i përhapur edhe në Kosovë.

“Është virus respirator dhe është i ngjashëm me shenjat e gripit dhe kjo e bën ndonjëherë të vështirë edhe diagnostikimin për shkak se dallon shumë pak. Por nuk paraqet një rrezik të madh për popullatën siç ka mundur të paraqesë Covid-19. Prek kryesisht moshat e reja, por atakon edhe moshat e vjetra sidomos personat me imunitet të komprometuar. Ka simptoma të ngjashme si gripi sezonal: ethe, kolla etj. Është i trajtuar me terapi mbështetëse megjithëse nuk ka një trajtim parandalues me vaksinë siç kanë viruset e tjera”, tha Hoti.

Vetë të moshuarit bëjnë apel për vaksinim e kujdes të shtuar nga vendet me turma të mëdha.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë për këtë sezon ka siguruar 85 mijë doza të vaksinimit për gripin sezonal dhe deri më tash janë vaksinuar mbi 60 mijë qytetarë.