Arbëri

Gashi: Pensionet të jenë nga 200 deri në 370 euro, po nënçmohemi

Nga 200 deri 370 euro duhet të jetë vlera e pensionit, sipas kryetarit të Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi.

Ai i tha se në bazë të Ligjit për skemat pensionale çdo vit pensionet duhet të rriten në bazë të rritjes së inflacionit, për çka tha se Qeveria nuk e ka bërë kurrë këtë.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk kanë gjetur përkrahje nga ana e Qeverisë për kërkesat e tyre dhe sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurtit ka ardhur në pushtet me vota të pa merituara, sepse premtimet e bërë nuk i ka realizuar.

Gashi ka thënë se që nga ardhja e kësaj Qeverie kanë kërkuar që të respektohet Ligji për sa i përket rritjes se pensioneve, por sipas tij, ky ligj nuk është respektuar kurrë dhe është shkelur në mënyrë të vazhdueshme.

Ai tha se Qeveria nuk është duke u marrë fare me pensionistët dhe nuk është duke iu përgjigjur fare kërkesave të tyre, duke shtuar se në këtë formë ata po nënçmohen, po fyen e po injorohen.

“Ne nuk kemi kërkuar kurrë rritje të pensioneve, sepse ajo është e garantuar me ligj dhe ne kemi kërkuar që Qeveria ta respektoj ligjin. Por, kjo qeveri nuk e ka respektuar kurrë dhe nuk po e respekton as sot dhe në mënyrë më të vrazhdë po e shkelë edhe sot dhe po na nënçmon, po na fyen, po na injoron. Sepse nuk merret me ne fare. Sa herë kemi bërë kërkesa edhe përmes email edhe përmes telefonave, na i mbyllin telefonat, nuk na i qelin telefonat e kështu me radhë. Thjeshtë nuk kemi komunikim, na kanë eks-komuniku si kategori dhe le të mbetet në ndërgjegjen e tyre kjo sjellje, por nuk ju bën nder”, tha Gashi.

Gashi tha se shuma prej 100 eurove pension bazë, sa marrin tani pensionistët, nuk mjaftojnë as ta kalojnë muajin, duke marr parasysh rritjen e madhe të çmimeve.

“Nuk janë të mjaftueshme ne e dimë sa i kemi. Pensioni bazë është 100 euro dhe një numër mjaft i madh i pensionistëve tonë varen prej atyre 100 eurove. Edhe këta që i kanë nga 190, 260 as këto nuk mjaftojnë, sepse ju jeni dëshmitar të një inflacioni drastik që ka ndodhur në Kosovë. Nëse llogaritet me shifra të inflacionit ajo del diku 60 për qind, unë po ju them që ka 200 për qind inflacion nëse shkojmë nëpër shitore për gjëra elementare për t’u furnizuar, shtrenjtimi ka ndodhur 200 për qind. Janë shtrenjtuar edhe barnat, janë shtrenjtua edhe lëndët djegëse për ngrohje, pastaj një kategori shumë e madhe e këtyre njerëzve nuk kanë sistem të ngrohjes. Nuk mundet, nuk ka shanse me mbyll muajin me 100 euro edhe nëse ato i ka vetëm për bukë”, tha ai.

Gashi thotë se në bazë të ligjit për skemën pensionale, Qeveria ka për obligim që çdo fundvit të bëjë vlerësimin e rritjes së inflacionit dhe në bazë të kësaj t’i rriss pensionet.

Sipas tij, nga viti tjetër do të duhej që pensionet të jenë nga 350 deri 370, për pensionistët me shkollë të mesme do të duhej të ishin nga 250 ose 270 euro si dhe ai bazë sipas tij, duhet me qenë 200 euro.

“Në bazë të ligjit për skemat pensionale, Qeveria ka obligim çdo fundvit të bëjë vlerësimin e inflacionit dhe komfor inflacionit me rrit pensionet për vitin e ardhshëm. Këta nuk e kanë bërë këtë kurrë, këta e kanë pasur obligim me ligj me bë, nuk e kanë bërë dhe këtyre ju teprojnë pare me ka 700 milionë euro për një vit dhe këta nuk i rrisin pensionet. Do të thotë thjeshtë po na e marrin djersen tonë po na i marrin kontributet tona. Si ta quajmë këtë, ndaq e quajmë plaçkë, ndaq hajni, njëjtë është. Realisht tani pensionet duhen me qenë diku këta që janë me përgatitje të larta, 350 deri 370 euro, kurse me shkollë të mesme ish dashur me qenë 250 ose 270, kurse ai bazë duhet me qenë 200 euro”, tha ai për EO.

Kryetarit i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, tha se Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me vota jo të merituara, pasi ajo nuk është duke mbajtur premtimet që ka dhënë para zgjedhjeve.

Gashi pati kritika edhe për opozitën në Kuvend për të cilën tha se është një opozitë e paaftë që nuk është në gjendje të bëjë asgjë.

“Kjo Qeveri për fat të keq i ka marr shumicën e votave në mënyre jo të merituar duke premtuar, sepse edhe pensionistëve ju ka premtuar edhe tjerave kategori ju ka premtuar me aplikua skema sociale gjatë qeverisjes së tyre. Këta jo që nuk kanë aplikuar, por e kanë bërë të kundërtën dhe tash i ka marr votat ai. Opozitën na po e shohim një opozitë e lodhët, një opozitë e paaftë, një opozitë tepër amorfe, që nuk është në gjende të bëjë asgjë dhe këta tash po kënaqen me vetveten aty edhe po ju shkon dita duke shikuar në pasqyre sa të merituar jemi me qeverisë këtë shtet dhe popull”, tha Gashi./EO