Arbëri

Pensionistët të pakënaqur me rritjen prej 20 për qind, dorëhiqet kryetari i shoqatës

Është dorëhequr kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi, në shenj pakënaqësie për mospërfillje të kërkesave nga ana e qeverisë. Në një takim me pensionistë të organizuar nga IKD-ja, ai ka thënë se rritja prej 20 për qind e pensioneve është e pamjaftueshme

Përfaqësuesit e pensionistëve nuk i ka kënaqur rritja e pensioneve në shkallën 20 për qind, që këtë muaj e ka bërë Qeveria.

Në një takim me pensionistët, që ka organizuar të premten Instituti i Kosovës për Drejtësi, është shprehur brenga se të ardhurat mujore që marrin qytetarët mbi 65 vjeç, janë të pamjaftueshme.

Në shenjë pakënaqësie ndaj mospërfilljes së kërkesave, kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi, në këtë takim e deklaroi dorëheqjen. 

“Kemi bërë kërkesa që kemi llogaritur koston jetësore, dhe në bazë të saj kemi llogaritu se sa duhet të jenë pensionet. Ua kemi dërguar dhe nuk janë përgjigjur. Nuk kanë rritur pensionet... Po më befason injoranca e pushtetarëve tanë. Prej sot unë nuk jam kryetar i organizatave, unë dorëhiqem”, ka thënë Gashi.

Edhe drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se Qeveria aktuale për katër vjet nuk u ka kushtuar vëmendjen e duhur pensionistëve.

“Fatkeqësisht në katër vjet nuk kemi parë që u është kushtuar rëndësisë pensionistëve. Ky 20-përqindësh, jo që nuk është në pajtim me inflacion, por nuk është në pajtim edhe me koston e jetesës në të cilën po jetojmë. Qeveria nuk i ka kushtuar fare vëmendje dialogut social”, ka thënë Miftaraj.
E hulumtuesi i lartë i IKD-së, Naim Jakaj, i cili publikoi gjetjet e raportit “Shteti neglizhon harmonizimin e pensioneve me koston e jetesës”, tha se ngritja e pensioneve nga ana e Qeverisë është një lëvizje politike elektorale.

“Ngritja erdhi pas një periudhe të gjatë ku pensionistët gjatë tre vjetëve të fundit përjetuan rënie të fuqisë blerëse, dhe mund të thuhet që tani ky vendim më shumë është një lëvizje politike elektorale, e cila nuk reflekton një politikë sociale të qëndrueshme dhe të drejtë për këtë kategori”, ka thënë Jakaj.
Pensionistët kanë kërkuar që rritja e të ardhurave mujore të bëhet çdo vit, ashtu siç kërkon ligji, dhe që ajo të reflektojë shkallën e inflacionit.