Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gashi: Nëse Specialja thotë se dokumentet e dorëzuara tek OVL-ja janë të tyre, është skandal për ta

Avokati i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomë Gashi, ka thënë se Gjykata Speciale duhet të ketë përgjigje për dy pyetje për ngjarjen që ndodhi me dokumentet e sjella tek zyret e OVL-së vitin e kaluar nga një person i maskuar.

Gashi në Interaktiv ka thënë se ish-kryesuesit e Organizatës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj i bënë publike ato dokumente që të dihet diçka. Qëllimi, sipas tij, ishte që të publikohet bashkëpunimi institucional mes Serbisë e Gjykatës Speciale në dëm të shqiptarëve.

“Ne e kemi një pyetje, duhet Prokuroria t’i përgjigjet Gjykatës a janë dokumentet të Speciales apo jo. Nëse janë, duhet ta hetojnë veten se si mundet të dalin ato në qendër të Prishtinës. Ata fare nuk janë të interesuar edhe pse ka kamera, nuk e identifikojnë personin e maskuar dhe nuk kanë bërë asnjëherë pyetje për të se kush ishte. Nëse dokumentet nuk janë të tyre, pse po i mbajnë në burg ata të dy. Janë në fatkeqësi të tilla që populli ynë thotë ‘hyp se të vrava - zhdryp se të vrava’. Janë në vështirësi të mëdha, sepse nëse thonë se janë të tyre është skandal për ta, nëse thonë se nuk janë atëherë ka qenë inskenim i dikujt që i ka dërguar qëllimisht”, ka thënë ai.

Gashi ka përmendur edhe kur Haradinaj pati deklaruar se dokumentet nuk ia japin askujt përveç organeve të drejtësisë së Kosovës, por që këto të fundit sipas tij, nuk i dhanë ndihmën e kërkuar.

“Nasim Haradinaj ka deklaruar së paku një herë që dokumentet nuk ia jep Prokurorisë Speciale, por Policisë së Kosovës dhe prokurorive tona. Prokuroritë tona dhe PK-ja nuk ka qenë fare e interesuar të inkorporohet me to. Është e vërtetuar se OVL-ja e ka ftuar policinë për këto dokumente dhe që ka thënë se dikush i ka sjellë këto dokumente, ne po shohim bashkëpunimin e Prokurorisë për Krime Lufte të Serbisë, organeve tjera të ndjekjes së Serbisë që po bashkëpunon me Gjykatën Speciale. Qëllimi ka qenë të publikohet bashkëpunimi institucional mes Serbisë dhe Gjykatës Speciale në dëm të shqiptarëve”, ka thënë ai.