Arbëri

Gashi: Naser Makolli ka pas shumëçka të thotë për “vrasjen” e Astrit Deharit

Avokati i angazhuar nga familja Dehari për rastin e vdekjes së djalit të tyre, Astrit Dehari në qendrën e paraburgimit në Prizren rreth 5 muaj më parë, ka komentuar vdekjen e Naser Makollit, shokut të dhomës së Astritit.

Gashi ka thënë se Makolli ka qenë dëshmitari kryesor i rastit Dehari, rast të cilin avokati Gashi e quan “vrasje”, ndonëse institucionet e drejtësisë në vend e kanë cilësuar si vetëvrasje vdekjen e tij, por nuk i kanë mbyllur hetimet ende. Familja Dehari dhe avokati i tyre, Tomë Gashi, nuk pranojnë versionin e institucioneve të Kosovës dhe kanë kërkuar një hetim të pavarur ndërkombëtar.

“Ende pa u bërë 6 muaj nga vrasje e Astritit, për fat të keq në burgun e Lipjanit vdes dëshmitari kryesor, Naser Makolli. Ky ka qenë dëshmitari i parë që në ora 15 e ka parë Astrititn në qendrën e paraburgimit në Prizren më 05.11.2016 kur janë kthyer të burgosurit nga shëtitja... Sipas shkresave të lëndës, ky ka qenë dëshmitari i parë që e ka parë Astritin pa ndjenja në qelinë e përbashkët. Këta kanë qenë në të njëjtën dhomë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, ka thënë Gashi në Facebook, raporton Koha.net.

Sipas tij, Naser Makolli ka dhënë deklaratë në të cilën, siç thotë Gashi, “ka konfirmuar se dy javë para vdekjes, Astriti ka qenë i frikësuar shumë”.

“Ky ka qenë dëshmitari prej të cilit Astritit ka kërkuar që nëse i ndodh diçka atij në burg, ai t’i lajmërojë në telefon prindërit e Astritit, gruan motrën dhe disa shokë të tij. Ky ka qenë dëshmitar që ka dhënë informatë të shkruar se Astriti ka qenë i kërcënuar në burg... Naser Makolli është transferuar nga burgu i Prizrenit 2 javë pas vdekjes së Astritit. Ky dëshmitar ka pas shumë të thotë për Vrasjen e Astritit... Ka edhe gjera të tjera për këtë dëshmitar që mjerisht vdiq sot në burg...”, ka theksuar avokati Gashi.

Naser Makolli është raportuar i vdekur sot në orët e pasdites.