Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gashi: BE-ja e SHBA-ja s’kanë levë për ta detyruar Serbinë ta njohë Kosovën së shpejti

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës s’kanë një levë me të cilën mund ta detyrojnë Serbinë ta njohë Kosovën së shpejti dhe se detyrimi i Serbisë mund ta largonte nga Perëndimi drejt Lindjes janë dy faktorët përse, sipas Drilon Gashit, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, po përmendet mundësia që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje pa njohje reciproke.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Gashi ka thënë se në vendet mike të Kosovës po shprehet dëshira për marrëveshje në periudhë të shpejtë. Megjithatë, sipas tij, po kuptohet po ashtu qartë se Serbia është pala që nuk po pranon ta njohë tash Kosovën. Sipas tij, puna e Kosovës është që të artikulojë kërkesën nga Serbia, që do t’i ndihmonte në vend të njohjes. Sipas Gashit, këtë çështje Kosova mund ta kthejë në kërkesën për ndërprerje të çnjohjeve dhe njohje nga shtetet mosnjohëse në BE e NATO.

Të premten, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u shpreh se SHBA-ja do të pajtohej me një marrëveshje pa njohje reciproke, po që se me të pajtohen Kosova e Serbia.

“Do të thosha se rrethanat politike evropiane e globale sot do të bënin më të lehtë që Serbisë t’i kërkohet njohja e Kosovës, sepse për luftën në Ukrainë tashmë po kuptohen qartë pozicionet. Një shtet mbron sovranitetin e vet, një tjetër po e sulmon”, ka thënë Gashi duke komentuar qëndrimin e ri. “Mund t’i ketë dy arsye... i pari që faktori BE-SHBA nuk e kanë një levë me të cilën mund ta detyrojnë Serbinë ta njohë Kosovën në periudhën e afërt. E dyta se ndoshta e kanë vlerësuar se detyrimi që Serbia ta njohë Kosovën mund ta largojë nga Perëndimi dhe ta çojë më tepër nga Lindja. Ka dëshirë të vazhdueshme të mos ndodhë. Këto mund të jenë dy faktorët. Por këto dy shtete po kërkojnë të hyjnë në BE. Herë do kur duhet ta njohin njëra-tjetrën për të hyrë në BE. Për Kosovën është me rëndësi të ketë që nëse s’ka njohje nga Serbia, të ketë ndalje të çnjohjeve”.

Gashi ka komentuar edhe propozimin franko-gjerman, që sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ofron Kosovës pranim nga vendet mosnjohëse dhe pranim në organizata ndërkombëtare, e Serbisë afrim më të shpejtë në BE. Sipas tij, kjo është edhe pika pozitive sepse me mosnjohje Serbia po synon ta bllokojë rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s.

Shtimin e diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sipas Gashit, Kosova duhet ta shohë mundësinë që “përderisa pajtohet që Serbia s’e njeh Kosovën dhe tërhiqet nga njohja e ndërsjellë, Kosova do të thotë se mund të ndikojë në llojin e Asociacionit që mund ta pranojë”.

Edhe Gashi: Serbia sot është më larg njohjes së Kosovës sesa ishte 10 vjet më parë Arbëri Gashi: Serbia sot është më larg njohjes së Kosovës sesa ishte 10 vjet më parë

Gashi ka thënë se në rrethanat botërore, marrëveshja finale do të jetë në favor të Kosovës pasi ka dëshmuar që është pala konstruktive. Për përfundim të dialogut, Gashi ka thënë se Kosova kërkon “sovranitet të jashtëm” përmes njohjeve që i mungojnë dhe anëtarësimi në OKB e BE, dhe “sovranitet të brendshëm”, për Asociacion që nuk sjell rrezik. Gashi ka përsëritur se në dialog duhet të ketë marrëveshje me kompromise të ndërsjella.

“Nëse pajtohemi se sot është vështirë që Serbia ta njohë Kosovën, duhet të pajtohemi edhe më shumë që Kosova duhet të ketë një asociacion vetëm në terma të saj, që s’pengon sovranitetin e saj. Kjo do të ishte kosto më e madhe për Kosovën sesa do të ishte njohja e Kosovës nga Serbia për Serbinë”, ka thënë ai.

Gashi është shprehur se pret funksionim të pjesshëm të vendimit të Qeverisë për kthim të targave nga ilegalet në RKS.