LAJMET E MBRËMJES

DASH: Synimi afatgjatë i politikës së SHBA-së, njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Një ditë pasi ambasadori amerikan në Beograd, theksoi se njohja e Kosovës nuk është kusht për Serbinë në rrugën e anëtarësimit në BE, Departamenti i Shtetit shprehu qëndrimin se synimi afatgjatë i politikës së SHBA-së është njohja e ndërsjellë. E, ambasadori i Kosovës në Bruksel theksoi se me Serbinë nuk mund të ketë normalizim pa njohje

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë është synim i Shteteve të Bashkuara, thuhet në qëndrimin  e Departamenti i Shtetit. Kjo deklaratë vjen një ditë pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se Serbia nuk do ta ketë kusht njohjen për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Në një përgjigje për KOHA-n, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se SHBA-të mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve. 

“E ardhmja e të dyja vendeve është në institucionet evropiane; normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara. Ne presim që Kosova dhe Serbia të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha angazhimet e tyre të dialogut plotësisht dhe pa vonesa apo parakushte. Synimi afatgjatë i politikës së Shteteve të Bashkuara është njohja eventuale e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigje. 

Ambasadorit Hill  i ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. 

“Është e qartë dhe e thjeshtë: Qëllimi i Dialogut të Brukselit, të udhëhequr nga BE-ja është të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pa njohje reciproke, nuk mund të ketë normalizim”, ka shkruar ambasadori Bajrami.

E një ditë më parë, duke përdorur një deklaratë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ka reaguar ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde. Gjatë vizitës në Kosovë, në qershor të 2022-s, Scholz pati deklaruar se “është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”.

“Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor të vitit 2022 për normalizimin, përfshirë njohjen reciproke. Kjo qëndron ende. Rruga është aty. Zbatim i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, ka shkruar Rohde.

Të enjten më herët, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.

"Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, tha ai.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

Bashkimi Evropian, megjithatë, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.

Prej se Kosova e shpalli pavarësinë, 15 vjet më parë, Bashkimi Evropian është shprehur vazhdimisht se çështja e njohjes së Kosovës është një çështje në kompetencë të vendeve anëtare të BE-së dhe, si bllok evropian, ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. 

Por, në anën tjetër, Kosova ka raporte të veçanta kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE nuk përfshihet territori i Kosovës.

Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.

Një zyrtar i BE-së, duke rikujtuar edhe ndryshimet në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, ku në kapitullin 35 është përfshirë si kusht edhe normalizimi i raporteve me Kosovën, ka thënë se pa këtë normalizim, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.

Vitin e shkuar, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për rrugën e normalizimit. Në një letër që palëve ua kanë dërguar kancelari gjerman, presidenti francez dhe kryeministrja italiane, është theksuar se për Serbinë, marrëveshja e arritur duhet të nënkuptojë njohjen de facto të Kosovës.