Për interesa politike po konsiderohet nga parti pozitare në Fushë-Kosovë vendimi për themelimin e dy institucioneve shkollore në këtë komunë. Zyrtarët e Vetëvendosjes dhe të Iniciativës Qytetare kanë thënë të mos jenë kundër shkollave të reja, por kundër bërjes politikë me to. Edhe pse i kanë dhënë këto vërejtje, të njëjtit kanë votuar pro këtij vendimi për themelimin e shkollës te “Kompleksi 300”, e cila funksionon që nga viti 2019 si paralele e shkollës “Mihal Grameno” dhe shkollën që është duke u ndërtuar në pjesën e Uglarit. Për këtë të dytën duket se ka pasur vërejtje nga niveli qendor për vendimet që ishin marrë në vitin 2019, pas një marrëveshjeje ndërmjet Komunës dhe kompanisë “Al Trade”.
“Sa u përket këtyre dy shkollave, sigurisht se i mbështesim, se e dimë se në çfarë gjendjeje është arsimi në Fushë-Kosovë. Por kush na tregon neve për këto dy shkolla, për emrat e tyre, se nuk keni drejtor... Sa i përket kësaj shkollës te ‘Al Trade’, shumica e dini se si u ndërtua, është kthye nga ministria. A i keni siguruar normat për këto shkolla. Unë me sa po e shoh kjo u bë për politikë që me iu premtu njerëzve pozita për mësues, drejtor, sekretar, etj. Shkolla tek ‘Al Trade’ nuk ka përfunduar ende, pse po ngutemi? Është shumë e nevojshme, por koha kur po e bëni është politike”, ka thënë në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, Migjen Kolshi, këshilltar i Iniciativës Qytetare.
Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Durim Hajra, ka thënë se Fushë-Kosova ka nevojë për shkolla të reja.
“Është puro politike se nuk keni paraparë as buxhet, dhe këtu parashihen për 32 veta të punësuar, po duket se është bërë politikisht. Po nuk po duam që të lëshohem në ato se ka nevojë për shkolla të tjera. A janë paraparë mjetet, normat? Shkolla që është aneks i ‘Mihal Gramenos’ nuk i plotëson kushtet për shkollë. Keni mundë të shkruani themelimin e një shkolle e jo dy. Ne grupi i këshilltarëve të Vetëvendosjes kemi me u taku edhe me ministren dhe kemi me iu ndihmu në këtë drejtim”, është shprehur Hajra.
Ndërkohë, nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, ka thënë se me rishikimin e buxhetit do të shohin mundësinë e ndarjes së mjeteve për këto sholla.
“Ne kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Arsimit dhe aty janë edhe ato norma. Do të ndodhë edhe në fushatë zgjedhore, që do të bëhet përurimi. Ne çdoherë kemi bërë kërkesë për rritjen e numrit të punëtorëve në arsim. Është një grup që do të punojë se si do të bëhet shpërndarja e nxënësve”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.
Në vitin 2019 Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës kishte marrë vendim për shpalljen e zonës me interes për ndërtimin e shkollës në pronën e kompanisë “Al Trade” dhe që ata 15 arë tokë që i jep kompania ‘Al Trade’ për ndërtimin e shkollës, 50 për qind e kësaj sipërfaqe t’i lejohet kompanisë që të shtojë etazhitetin në objektet e saj (ndërtim i lartë).
KOHA ka kërkuar përgjigje nga MAPL nëse ishin vlerësuar si të paligjshme këto dy vendime dhe nëse janë evituar nga Fushë-Kosova shkeljet e pretenduara, por gjatë ditës së premte nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkohë, zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës e ka mohuar se ishin rrëzuar këto vendime nga niveli qendor.
“Ju njoftoj se shkolla fillore te ‘Kompleksi 300’ punon normalisht tani e 3 vjet dhe nuk ka asnjë problem. Është personeli, nxënësit dhe i gjithë stafi që është i angazhuar dhe procesi zhvillohet normalisht. Sa i përket shkollës së re që është duke u ndërtuar, ju njoftoj se nuk kemi ndonjë vlerësim të paligjshëm nga ana e Ministrisë dhe se shkolla është duke u ndërtuar e që pritet të jetë e gatshme më 1 shtator”, ka thënë Ali Topalli.
Në kërkesën e kryetarit të Komunës, Burim Berisha, i propozohet kryesueses së Kuvendit, Vjollca Konjusha, dhe Komitetit për Politika dhe Financa që të marrin vendim për fillimin e procedurës për themelimin e dy institucioneve të arsimit parauniversitar në Fushë-Kosovë. Në këtë kërkesë të Berishës thuhet se shkolla fillore e mesme e ulët “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë është një ndër shkollat më të mëdha në nivel të vendit, ku numri i nxënësve me vite është rritur në mënyrë enorme.
“Tani aty është numër i madh i nxënësve, mbi 3.384 nxënës aktualisht, me gjithsej 86 paralele të mbingarkuara me rreth 40 nxënës në një paralele, sidomos ka rritje të numrit të nxënësve nga klasa e parë deri në të pestën, ku kërkohet një përkushtim më i madh. Komuna me investime vetjake dhe angazhimin maksimal të saj ka ndërtuar dy objekte të reja shkollore, njëra e ka filluar punën para dy vjetëve, si pjesë e ndarë e shkollës ‘Mihal Grameno’, në zonën më të populluar të qytetit tonë në lagjen ‘Dardania’ në Fushë-Kosovë, me mbi 1.000 nxënës”, thuhet në shkresën e kryetarit të Komunës. “Sipas planifikimit të shkollës për vitin shkollor 2021-2022, në shkollën ‘Mihal Grameno’ do të jenë gjithsej 105 paralele, andaj ne propozojmë që të merret një vendim për themelimin e dy institudioneve të reja shkollore të arsimit parauniversitar si në vijim: Objekti shkollor në lagjen ‘Dardania’ me 30 paralele; Objekti shkollor në Lagjen e Apollonisë në anën e djathtë të rrugës magjistrale M9 me 30 paralele”.
Aty propozohet që në shkollën e qendrës të vendosen 1.400 nxënës, në shkollën në lagjen “Dardania” 1.000 nxënës dhe në shkollën në Lagjen e Apollonisë 1.000 nxënës.
“Strukturimi me plan i nxënësve dhe ndarja sipas rrugëve në shkolla do të rregullohen përmes një vendimi të institucioneve komunale në bashkëpunim me përfaqësuesit e shkollës dhe prindërve, sipas rregullave të vendosura paraprakisht”.
Ky propozim-vendim është miratuar nga këshilltarët komunalë të Fushë-Kosovës.