Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ftohen nga Policia tetë persona për protestën “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar të premten se Policia i ka hapur tetë raste për prishe të rendit dhe ofendim ndaj institucioneve të Kosovës, në protestën e organizuar me moton “Mbrojtje për vajzat dhe gratë” më 31 gusht.

“Protestuese/ë e bashkëorganizatore të protestës janë ftuar nga Policia nën arsyetimin se revolta jonë e përbashkët ndaj neglizhimit institucional në parandalimin dhe trajtimin e drejtë të rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave, ka paraqitur prishje të rendit dhe ofendim ndaj institucioneve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.

Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Prokuroria i ka nisur këto raste për në Gjykatë.

Ata kanë konsideruar se kjo është përpjekje e shtetit për t’i heshtur dhe zmbrapsur.

“Ne nuk frikësohemi nga tentativat e shtetit për të na heshtur. Ne nuk do i bindemi këtyre ndërmarrjeve patriarkale dhe do t’i kundërshtojmë deri në fund. Deri sa të gjitha/ë të jemi të lira/ë nga dhuna institucionale”, vijon reagimin i tyre.

Protesta e 31 gushtit u organizua pas rastin të një 11-vjeçareje, e cila dyshohet se u dhunua nga pesë persona në një ditë në Prishtinë.