Arbëri

Fshatrat e Gjilanit ende s’janë kompensuar për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në maj

Pa kompensim kanë mbetur banorët e fshatrave të Gjilanit që u përballën me vërshime në fund të majit. Komuna ka thënë se nuk ka mjete, ndërsa Qeveria i ka ndarë 1.3 milionë euro për kompensimin e dëmeve në bujqësi gjatë kësaj jave, por nga këto nuk pritet të përfitojnë banorët e Komunës së Gjilanit pasi mjetet e ndara janë për dëmet e shkaktuara gjatë vitit të kaluar.

Vërshime që dëmtuan shtëpi, infrastrukturë e toka bujqësore ka pasur në fund të majit në disa fshatra të Gjilanit.

Kryetari i Këshillit të Fshatit në Pogragjë, Arton Fetahu, ka treguar se dëmet e evidentuara janë të mëdha dhe se kompensim ende s’kanë marrë nga Komuna e as nga Qeveria.

Thotë se ndihen të rrezikuar pasi urat e fshatit ende nuk janë rregulluar, edhe pse një herë kishin marrë premtime nga Komuna.

“Tash janë bërë gjashtë javë, janë regjistruar të gjitha, në ekonomi familjare për shembull dëmet arrijnë në 143.000 euro. Në bujqësi kanë evidentuar diçka, por nuk i kanë përfshirë të gjitha, kam edhe pakënaqësi prej banorëve, kurse në infrastrukturë përveç kësaj urës këtu si të shenjtë”, ka thënë Fetahu.

Komuna e Gjilanit ka thënë se nuk ka mjete për t’i kompensuar dëmet, ndërsa ka pretenduar se ka intervenuar në infrastrukturë.

“Ne si komunë i kemi njoftuar qytetarët e Pogragjës që financiarisht e kemi të pamundur t’u ndihmojmë për shkak të buxhetit, ashtu siç dihet. Komuna e Gjilanit tash e një vit i ka liruar nga qiraja të gjithë ata që shfrytëzojnë pronën komunale. Kemi intervenuar në infrastrukturë dhe kemi adaptuar një pjesë të urave që kanë qenë, vetëm që t’u krijojmë qasje banorëve, jo vetëm në Pogragjë, mirëpo edhe në Sllubicë, pra në një kohë shumë të shkurtër u kemi krijuar qasje të gjithë banorëve në rrugën kryesore”, ka thënë nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli.

Ismajli ka treguar se kanë dërguar raport dëmesh në Qeveri, por nuk kanë marrë përgjigje në kërkesën e tyre për ndarje të mjeteve.

Ministria e Bujqësisë e ka çuar në Qeveri propozimin për ndarje të mbi 1 milion eurove për dëmet në nivel të Kosovës.

“1.3 milionë euro për mbulimin e dëmeve të shkaktuara në fushën e bujqësisë për periudhën korrik-dhjetor 2020. Evidentimi i këtyre dëmeve është bërë nga komunat përkatëse, komisionet e tyre dhe në disa raste, pjesëmarrës kanë qenë edhe anëtarë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, ka thënë në propozimin e tij ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Sidoqoftë, me vendimin e Ekzekutivit nuk do të mbulohen dëmet e shkaktuara gjatë këtij viti.