Arbëri

Formimi i qeverisë në pikëpyetje, LVV-ja “kritikohet” për mungesë përpjekjesh për kompromis

Deri të dielën ka kohë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për ta paraqitur për votim qeverinë e re. Ndonëse afati për një veprim është drejt fundit, nga Lëvizja Vetëvendosje apo subjektet politike publikisht nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Njohës të punës së ekzekutivit dhe të Kuvendit kanë vlerësuar se ka mungesë të përpjekjeve për formimin e qeverisë së re

Drejt fundit është afati prej 15 ditësh, brenda të cilit i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, duhet që ta paraqesë për miratim në Kuvend përbërjen e qeverisë së re dhe të programit të saj.

Teksa kanë mbetur edhe tri ditë kohë për këtë, subjektet politike nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre, të paktën jo publikisht.

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, ka thënë se në partinë e Kurtit – Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) – janë duke munguar përpjekjet për të bërë kompromise me subjektet e tjera politike, në drejtim të formimit të qeverisë së re.

“Nuk po shoh edhe fort përpjekje të subjektit fitues të zgjedhjeve parlamentare që të bëjë kompromise politike me ndonjë subjekt parlamentar të caktuar sa i përket çështjes së formimit të qeverisë. Dhe këto lloj kompromisesh nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë, por edhe me shumë tema të tjera të cilat janë edhe interes i madh i Kosovës”, ka thënë ai.

E, në mungesë të arritjes së marrëveshjeve politike me subjektet politike, Bugaqku ka thënë se mund të ketë bashkëpunime të dakorduara me deputetë të caktuar.

“Po vërehet që ka një tendencë të diskutimit privat me deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës dhe mbase ata janë duke bërë përpjekje që në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të gjejnë ndonjë deputet, i cili jep votën pro formimit të Qeverisë dhe pro kabinetit të Qeverisë Kurti 3”, ka thënë Bugaqku.

Ai ka shprehur pritjen që seanca për votimin e qeverisë së re të ftohet në ditët në vijim, porse nuk e ka përjashtuar mundësinë që kryesia e Kuvendit të mblidhet edhe të dielën.

“Nëse lihet në ditën e fundit, unë e shoh paksa problematike çështjen e ftesave për deputetët, sepse mendoj që ata së paku dy ditë më herët duhet të ftohen paraprakisht dhe duhet ta kenë të ditur informacionin që të dielën do të ketë seancë”, është shprehur ai.

Sipas hulumtuesit të KDI-së, veprimet e kryesisë janë të lidhura edhe me vendimin eventual të Gjykatës Kushtetuese lidhur me masën e përkohshme të kërkuar nga Lista Serbe. Ky subjekt politik, i cili i përfaqëson serbët e Kosovës dhe që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka adresuar ankesë në Kushtetuese lidhur me mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Vendimin për ankesë, Kushtetuesja pritet që ta nxjerrë së shpejti.

“Palët janë duke e pritur edhe ditën e nesërme, nëse eventualisht gjykata lëshon ndonjë opinion ose vendim sa i përket vendosjes ose jo të masës së përkohshme, apo edhe sa i përket lansimit ose publikimit të plotë të vendimit bazuar në kërkesën e parashtruar nga Lista Serbe”, ka theksuar Bugaqku.

Lëvizjes Vetëvendosje i duhen së paku edhe pesë vota që ta sigurojë minimumin e nevojshëm prej 61 sosh për miratimin e suksesshëm të mandatarit. Si parti fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje ka 48  deputetë. Ajo ka përkrahje edhe nga shtatë deputetë të komuniteteve pakicë joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit.

Sipas Kushtetutës, në rast se Qeveria nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, presidentja brenda 10 ditësh e mandaton një tjetër kandidat. E nëse ekzekutivi dështon që të zgjidhet edhe për herën e dytë, atëherë presidentja i shpall zgjedhjet, të cilat duhet që të mbahen brenda 40 ditësh që nga shpallja.