Dy ditë para përfundimit të afatit brenda së cilës mandatari për formimin e Qeverisë duhet të dalë para Kuvendit, është caktuar seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re. Deri të premten, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë të ditur asnjë marrëveshje bashkëpunimi me subjektet e tjera politike që ta sigurojë shumicën në Kuvend. Me dështimin eventual të zgjedhjes së qeverisë të dielën, presidentja ka në dispozicion 10 ditë të tjera për ta caktuar mandatarin e ri
Seanca për zgjedhjen e Qeverisë është caktuar për të dielën në orën 10:00. Kërkesa për mbajtjen e saj është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, kryetarin e së cilës, Albin Kurtin, presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar për formimin e qeverisë së re.
“Kemi bërë kërkesë dhe tashmë është ftuar seanca e jashtëzakonshme për të dielën, ora 10:00 me një pikë të rendit të ditës - zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka konfirmuar për KOHA-n, deputetja Mimoza Kusari-Lila.
Kur kanë mbetur edhe dy ditë deri në këtë seancë, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka treguar nëse ka siguruar shumicën në Kuvend, që do të garantonte votim të suksesshëm të Qeverisë.
Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, të enjten mbrëma në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se përpjekjet për këtë do të bëhen deri në ditën e fundit.
“Ne po bëjmë përpjekje maksimale që të sigurojmë 61 vota në Kuvendin e Kosovës. Jemi shumë të interesuar që sa më shpejt qeveria të votohet por jo me çdo kusht”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka konfirmuar se diskutime janë zhvilluar individualisht edhe me deputetë të subjekteve politike, por nuk pranoi të bëjë të ditur emrat.
“Ka pas përpjekje nga ana jonë që të vendosim kontakte me ta. Ka pasur takime po ashtu. Nuk mund ta them ndonjë numër e as një emër”.
Lëvizjes Vetëvendosje i duhen së paku edhe pesë vota, nga ato që thotë se i ka të sigurta, për të arritur minimumin e nevojshëm prej 61 sosh për votimin e suksesshëm të qeverisë. Ky subjekt politik që ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, ka 48 deputetë. Përkrahje ka prej shtatë deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit nga komuniteti serb. Kurti e Vetëvendosja, të sigurt nuk e kanë mbështetjen e deputetes boshnjake Duda Balje, atij egjiptian Veton Berisha e të goranit Adem Hoxha.
Në rast të dështimit të votimit të Qeverisë, presidentja ka diskrecion ta caktojë mandatarin edhe nga parti të tjera, jashtë asaj fituese, me kushtin që t’i dëshmohet shumica në Kuvend.
Melosh Kolshi, i cili është hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tregon veprimet që priten nga presidentja Vjosa Osmani.
“Ajo i ka edhe 10 ditë kohë për të mandatuar kandidatin tjetër për formimin e Qeverisë e madje edhe kandidati tjetër sipas procedurës së njëjtë i ka 15 ditë kohë që të marrë besimin e deputetëve të Republikës për ta krijuar Qeverinë apo për ta prezantuar kabinetin e tij”, ka thënë ai.
Përfaqësues të subjekteve kryesore politike, PDK-ja dhe LDK-ja kanë theksuar se nuk i kanë numrat për ta bërë Qeverinë, në rast se mandatari s’i siguron votat në herën e parë. Sipas Kushtetutës, nëse qeveria dështon të zgjidhet edhe herën e dytë, atëherë presidentja shpall zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve.