Arbëri

Fitim Gashi i KOHËS merr çmimin e parë të PCi-së për shkrimin për bashkëjetesën multietnike

Me artikullin “Të pastrehët e pandemisë”, gazetari i KOHËS, Fitim Gashi, ka marrë çmimin e parë që “Peaceful Change initiative (PCi)” ka ndarë të enjten për mediat për publikimin e storieve për bashkëjetesën multietnike në Kosovë.

Pasi mori këtë çmim, Gashi u shpreh se ndihet i nderuar “për çmimin nga iniciativa që për mision ka paqen afatgjate dhe shmangien e konflikteve”.

“Siç e shpërfaq edhe storia që sot u shpërblye, një kategori e shoqërisë kosovare vazhdon të ballafaqohet me problemet bazike, siç është mungesa e strehimit, kushtet e rënda socio-ekonomike dhe pamundësia për integrim në shoqëri. Si gazetar e medium jemi munduar ta japim kontributin tonë për sensibilizimin e vendimmarrësve që kjo kategori e shoqërisë ta ketë vëmendjen dhe trajtimin e duhur. Prandaj ky çmim është motivim shtesë për punë të mëtejme. Edhe një herë faleminderit”, ka thënë në fjalimin e tij Gashi.

 

Ndërkaq Arbana Mjekiqi, redaktore përgjegjëse në KOHA, pasi pranoi çmimin në emër të mediumit ka thënë se “KOHA si medium përherë u ka dhënë hapësirën e duhur luftimit të pabarazisë e rrëfimeve të tilla dhe atë do ta bëjë edhe në të ardhmen”.

Çmimin e dytë në kategorinë e shkrimit ka fituar gazetarja Serbeze Haxhiaj, ndërsa çmim të tretë juria ka vendosur të mos ndajë.

Në kategorinë audio-vizuele, çmimi i parë shkoi për Ardiana Thaçin e “Klan Kosovës” për dokumentarin “Heshtja që vrau”.