Arbëri

Të pastrehët e pandemisë

Brenda perimetrit prej 2 kilometrave ndodhen lagjet 28 dhe 29 të Fushë-Kosovës, ku ndodhen disa familje me mungesë strehimi dhe që jetojnë në kushte të vështira. Në hulumtimin e realizuar nga KOHA, në periudhën prej gjashtë muajsh, janë identifikuar problemet me strehim të këtij komuniteti dhe masat e ndërmarra nga institucionet gjatë pandemisë
 

Për një vit fushatë, kryesore në botë ishte thirrja për t’u izoluar në shtëpi për shkak të rrezikut nga virusi COVID-19, pandemi e shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Por kjo nuk vlen për shumë familje nga komunitetet joshumicë që kanë mungesë strehimi e detyrohen të jetojnë në objekte të papërshtatshme, ku mungojnë kushtet elementare. Në hulumtimin e realizuar nga KOHA, në periudhën prej gjashtë muajsh, janë identifikuar problemet me strehim të këtij komuniteti dhe masat e ndërmarra nga institucionet gjatë pandemisë. Po ashtu janë sjellë modele të suksesshme që janë aplikuar në vendet e tjera gjatë pandemisë për adresimin e kësaj problematike

Është gjashtëvjeçare dhe pas i shkon babait duke mbajtur në duar grumbuj drunjsh, të cilët i ofron pranë stufës që veç ka marrë flakë, në një ditë të ftohtë shkurti. Pesë fëmijët e tjerë ngrohin duart pranë zjarrit. Është kjo rutina e përditshme që bën kryefamiljari Shpejtim Hamza në shtëpinë e improvizuar prej materialeve të ndryshme pranë objektit të rrumbullakët të betonit që më herët ka qenë thertore kafshësh.

“Para dy vjetëve një fëmijë më ka vdekur nga i ftohti. Problem me e ngrohë venin kur gjithkah është çelë. Sa herë bie shi e borë, na hyn brenda”, e nis rrëfimin Shpejtimi, teksa tregon shtojcat prej druri që u ka vendosur dyerve e dritareve për ta ndalur të ftohtin. Gati i ka bërë edhe disa kova që presin shiun nga kulmi që pikon.