Botë

Strehimoret e improvizuara të beduinëve

Strehimoret - Beduin

Foto: Associated Press

Në shkretëtirën jugore të Izraelit, komuniteti beduin – një nga grupet më të margjinalizuara të vendit – përballet me rrezik të vazhdueshëm nga raketat, pa pasur qasje në strehimore të sigurta. Mijëra familje janë të detyruara të improvizojnë mbrojtje duke përdorur autobusë të vjetër të varrosur, kontejnerë metalikë apo mbetje ndërtimi, pasi fshatrat e tyre nuk janë të njohura zyrtarisht nga shteti dhe nuk marrin as shërbime bazë si ujë, elektricitet apo leje ndërtimi. Për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe mbështetjes, edhe në qytetet beduine “të njohura” strehimoret janë të pakta dhe të pamjaftueshme për popullsinë në rritje

Kur sirenat dëgjohen në shkretëtirën e jugut të Izraelit për të paralajmëruar një raketë që po vjen, familja e Ahmad Abu Ganimas nxiton të dalë jashtë. Poshtë disa shkallëve prej dheu, një nga një, ata kalojnë përmes dritares së një minibusi të varrosur tri metra nën tokë.

Abu Ganima, një mekanik, e mori këtë autobus të përdorur nga punëdhënësi i tij pasi u demontua për pjesë. Ai e varrosi atë në oborrin e tij për të krijuar një strehë improvizuese për familjen e tij. Abu Ganima është pjesë e komunitetit beduin të Izraelit, i cili numëron rreth 300.000 njerëz, një fis që dikur ishte nomad dhe tani jeton i shpërndarë në shkretëtirën e Negevit.

Mbi dy të tretat e beduinëve nuk kanë qasje në strehimore, thotë Huda Abu Obaid, drejtoresha ekzekutive e Forumit për Bashkëjetesë në Negev, një organizatë që lobon për çështjet e beduinëve në jug të Izraelit. Me rritjen e kërcënimit nga raketat gjatë luftës 12-ditore me Iranin muajin e kaluar, shumë familje beduine filluan të ndërtojnë strehimore të improvizuara nga materiale të disponueshme: kontejnerë çeliku të varrosur, kamionë të varrosur, mbetje ndërtimi të ripërdorura.
“Kur ka një raketë, mund ta shohësh që po vjen nga Gaza, Irani ose Jemeni”, thotë Amira Abu Queider, 55 vjeçe, një avokate për sistemin e gjykatës Sharia, duke treguar qiellin e hapur mbi Al-Zarnug, një fshat me struktura betoni të ndërtuara në mënyrë të shpejtë dhe pa plan. “Ne nuk jemi fajtorë, por ne jemi ata që po vuajmë”.

Al Zarnug nuk është njohur nga qeveria izraelite dhe nuk merr shërbime si grumbullimi i mbeturinave, elektriciteti apo uji. Gati të gjithë energjia e nevojshme vjen nga panelet diellore që janë instaluar mbi çatitë e shtëpive, dhe komuniteti nuk mund të marrë leje për të ndërtuar. Banorët shpesh përballen me urdhra shembjeje të shtëpive të tyre.

Pak strehimore, shumë njerëz

Rreth 90.000 beduinë jetojnë në 35 fshatra të panjohura në jug të Izraelit. Edhe ata beduinë që jetojnë në zona “të njohura” nga Izraeli kanë pak mundësi për strehim. Rahat, qyteti më i madh beduin në jug të Izraelit, ka vetëm tetë strehimore të vogla publike për 79.000 banorë, ndërkohë që qyteti fqinj, Ofakim, një qytet hebre, ka 150 strehimore publike për 41.000 banorë, thotë Abu Obaid.
Disa herë, më shumë se 50 persona janë detyruar të hyjnë në një kamion të varrosur, që ka vetëm tri metra katrorë hapësirë. Të tjerë janë strehuar në kulverte betoni nën hekurudhat, të cilat janë menduar për kanalizimin e ujërave të shiut, duke varur fletë për të krijuar ndarje dhe për të ruajtur pak privatësi. Strehimoret janë aq larg sa, ndonjëherë, familjet janë të detyruara të lënë pas të moshuarit dhe ata që kanë probleme me lëvizjen.

Më 7 tetor 2023, sipas drejtuesve lokalë, 21 beduinë u vranë dhe gjashtë të tjerë u morën peng. Shtatë beduinë, mes tyre edhe fëmijë, u vranë nga raketat gjatë sulmit të parë të Hamasit, në ditën e parë të sulmit, thotë Huda Abu Obaid.

Edhe pse gjatë luftës 12-ditore me Iranin nuk pati të vrarë apo të plagosur mes komunitetit beduin, gjatë sulmit të Iranit ndaj Izraelit në prill 2024, një vajzë beduine pësoi një dëmtim të rëndë në kokë si pasojë e copëzave të një rakete - një nga rastet e rralla të plagosjeve civile në atë sulm.

Gjatë atij sulmi tragjik, mbi 1.200 njerëz humbën jetën në Izrael dhe 251 persona u morën peng. Në luftën që pasoi në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, mbi 57.000 palestinezë janë vrarë,  megjithëse kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve.

Standardet inxhinierike për ndërtimin e strehimoreve dhe dhomave të mbrojtura janë shumë të rrepta dhe të detajuara; ato përcaktojnë me saktësi trashësinë e mureve dhe llojet e dritareve rezistente ndaj valëve goditëse nga shpërthimet. Por beduinët, të detyruar të mbrohen me mjete të thjeshta e të improvizuara, janë të vetëdijshëm se këto strehimore të ndërtuara nga vetë ata nuk ofrojnë mbrojtje reale nga një goditje e drejtpërdrejtë. Megjithatë, shumë prej tyre thonë se thjesht fakti që bëjnë diçka për të mbrojtur veten dhe familjet, u jep një ndjenjë qetësie e kontrolli në mes të kaosit.
Brenda autobusit të varrosur që familja e Abu Ganeima përdor si strehë, ai thotë se zëri i sirenave mezi dëgjohet - diçka që ndihmon për t’i qetësuar fëmijët e tij, të cilët shpesh përjetojnë panik dhe frikë gjatë sulmeve.

“Strehimoret tona nuk janë të sigurta”, thotë Najah Abo Smhan, një përkthyese mjekësore dhe nënë beqare nga Al-Zarnug. Vajza e saj 9-vjeçare, e tmerruar nga sirenat dhe shpërthimet, këmbënguli që të shkonin te fqinjët, të cilët kishin strehim nën tokë.  Edhe pse e dinin mirë se nuk do t’i mbronte nga një goditje e drejtpërdrejtë, thonë se të paktën po përpiqeshin. “Të vetmet gjëra që na kanë mbetur”, thotë ajo me zë të ulët, “janë lutjet”.

Kërkesa për autoritetet 

Kur sirenat dëgjohen për të paralajmëruar raketat që po afrohen, “një skenë e mbushur me frikë dhe panik” shpërthen menjëherë, tregon Miada Abukweder, 36 vjeçe, një udhëheqëse nga fshati Al-Zarnug, një vendbanim që nuk është i njohur zyrtarisht nga shteti i Izraelit. “Fëmijët bërtasin, dhe nënat, të tmerruara, mendojnë më shumë për fëmijët e tyre sesa për veten. Teksa fëmijët bërtasin dhe ndihen të tmerruar, ata ndiejnë dhimbje barku nga frika dhe qajnë duke thënë: ‘Do të vdesim, ku do të shkojmë?’’’, rrëfen Abukweder, e cila është pjesë e një klani të madh familjar në atë zonë.

Ndjesia që nuk ke asnjë vend ku të shkosh, asnjë vend ku të fshihesh, thonë shumë banorë, është po aq e tmerrshme sa vetë raketat.

Pas sulmit shkatërrues të 7 tetorit, shërbimet izraelite të sigurisë vendosën rreth 300 strehimore bombash të lëvizshme në zonat beduine, thotë Abukweder. Disa organizata të shërbimit civil dhuruan gjithashtu një numër të vogël strehimoresh të ngjashme. Por këto streha janë të ndërtuara për kërcënime më të vogla dhe nuk janë të përshtatshme për të përballuar raketat balistike të Iranit - pra janë shumë larg nga ajo që nevojitet realisht. Sipas llogaritjeve të Huda Abu Obaidit, duhen mijëra strehimore të vogla të tilla për të mbuluar komunitetet beduine të shpërndara nëpër zona të largëta e të izoluara.

Komanda e Frontit të Brendshëm, organi ushtarak izraelit përgjegjës për çështjet civile, thotë se përgjegjësia për ndërtimin e strehimoreve u takon autoriteteve lokale dhe pronarëve të ndërtesave. Por në fshatrat beduine të panjohura zyrtarisht nuk ekzistojnë autoritete vendore që të kujdesen për këtë. Megjithatë, Komanda e Frontit të Brendshëm deklaron se për shkak të gjendjes së luftës, po ndihmon komunitetet lokale, përfshirë beduinët, duke vendosur dhjetëra streha të përkohshme gjatë muajve në vijim.

Arabët e Izraelit, të cilët përbëjnë rreth 20% të popullsisë prej 10 milionë banorësh - janë qytetarë me të drejtë vote, por shpesh përballen me diskriminim. Beduinët, që gjithashtu janë qytetarë izraelitë dhe disa prej tyre shërbejnë edhe në ushtri, janë grupi më i varfër i pakicës arabe në vend. Më shumë se 70% e tyre jetojnë nën kufirin e varfërisë, sipas Abu Obaidit.

Ajo thekson se banorët beduinë nuk po i kërkojnë shtetit izraelit që të financojë ndërtimin e strehimoreve për ta; ata po kërkojnë vetëm të drejtën për të ndërtuar ligjërisht - të marrin leje ndërtimi, në mënyrë që të mund të ndërtojnë shtëpi të qëndrueshme dhe me strehimore të sigurta.

Mirëpo për shkak të mungesës së lejeve, shumë prej tyre janë të detyruar të ndërtojnë në mënyrë të paligjshme, duke rrezikuar pasojat. Megjithatë, pak janë të gatshëm ta ndërmarrin këtë hap për shkak të kostos së lartë të ndërtimit të dhomave të përforcuara.

“Njerëzit as nuk duan të provojnë”, thotë Abu Obaid. “Kushton shumë shtrenjtë, dhe pastaj, dy javë më vonë, shteti vjen dhe të thotë: ‘Duhet ta shembësh’”.