Gazetari i KOHËS, Fitim Gashi, është shpërblyer për storien e shkruar më së miri, mbi temën "Çmimi për raportimin mbi Çrrënjosjen e Varfërisë".
Pos tij, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Ekipi i UNKT ka ndarë çmimet edhe për video-storien, audio-storien dhe dokumentarin më të mirë.
“Çmimi për audio-storjen më të mirë iu nda gazetarit nga Radio Kosova 2, Denis Galushi. Çmimi për storjen e shkruar më të mirë iu nda gazetarit të Grupit KOHA, Fitim Gashi. Teksa, në kategorinë “Dokumentari më i mirë televiziv”, çmimin e fitoi dokumentari "Sot, për nesër ", i gazetares Vjosa Çerkini. Për fotografinë më të mirë u shpërblye fotografi i pavarur, Valdrin Fetahu. Përveç dhënies së çmimeve, të pranishmëve iu adresuan edhe Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
E titulluar "Të pastrehët e pandemisë", storia e Gashit ka për rrëfim jetesën e një familjeje, që jeton në kushte të rënda ekonomike. E pandemia ua ka rënduar edhe më shumë.
“Thirrja më e shpeshtë në pandemi ishte rrini në shtëpi. Por kjo ishte e pamundur për disa familje që ishin pastrehim dhe me vështirësi ekonomike për jetesë. Si zakonisht, kategoritë më të prekura në Kosovë janë ato të komunitetit joshumicë. E pandemia veçse e ka thelluar gjendjen e tyre socio-ekonomike. Përmes storjes që kam trajtuar, jam munduar që të hedh dritë mbi problematikën e strehimit. Prandaj, ky shpërblim është një nder i madh për mua. Faleminderit”, tha pas çmimit Gashi.
AGK dhe UN Kosovo Team ndajnë çmimet për Raportimin më të mirë mbi Çrrënjosjen e Varfërisë, këta janë...
Posted by Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK on Friday, November 5, 2021