Arbëri

Fillon vendosja e pritoreve të reja, të përzgjedhura nga kryetari Rama

Punëtorët e kompanisë “Selmans” kanë nisur vendosjen e pritoreve të reja në qendër të Prishtinës.

Pritorja e njohur si te “Katedralja” është e para që po zëvendësohet, për të vazhduar edhe me pritoret e tjera në gjithë qytetin e Prishtinës.

Dy vjet pasi kjo kompani vendosi pritoret e reja në kohën e qeverisjes së Shpend Ahmetit, sërish po ndërrohen nën qeverisjen e Ramës.

Kishte ankesa të shumta nga qytetarët për pritoret e mëparshme, andaj u vendos të ndërroheshin.

Me gjelbërim mbi, me nga një shportë dhe hartë të linjave të autobusëve, ky ndryshim i pritoreve nuk do të ketë kosto shtesë për Komunën e Prishtinës.

Në një përgjigje për KOHËN, drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, ka thënë se ndryshimi i dizajnëve dhe zhvendosja e atyre ekzistueseve është planifikuar me kontratën ekzistuese të vitit 2019.

Me 9 metra gjatësi dhe të rrethuara nga tri skajet, kjo është pamja e re e pritoreve në qendër të Prishtinës e të cilat u përzgjodhën nga vetë kryetari Rama.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu. thotë se ato ekzistueset do të vendosen në zonat rurale.

“Realisht çka po mendojmë ne, me qëllim që të mos dëmtohet buxheti, jemi duke menduar që pritoret ekzistuese, të cilat i kemi brenda qytetit, ato me kalua në pjesën periferike, ndërsa pjesa e qytetit do të jetë ky model, që kryetari i Prishtinës veçse ka vendosur çfarë kanë me qenë”, tha Musliu. 

Sipas Musliut, pritoret do të kenë tri dizajne.

“Do të ndryshohen edhe pritoret me qëllim që të bëhen ato më të përshtatshme, më funksionale, sepse kemi pasur kërkesë dhe ankesa. Do të jenë zgjidhje të përhershme, vetëm kemi të bëjmë me elementin kohë. Ne do të kemi 3 lloje të pritoreve, 3 modele, 3 dizajne, pra A, B, C. A-ja është më moderne, me gjelbërim lart dhe do të jetë e mbuluar, sepse ka qenë kërkesë e qytetarëve, do të implementohet brenda qytetit, unazës së brendshme të qytetit, B-ja do të implementohet në pjesët më periferike, ndërsa C në zonat rurale”, tha Musliu. 

Të kontaktuar nga KOHA, nga kompania “Selmans” thonë se brenda 7 ditëve punë pritet të përfundojë vendosja e pritores së re.

Në anën tjetër, qytetarët ankohen se shumë stacione kanë mbetur pa pritore.

Megjithëse po bëhen 3 vjet që nga nënshkrimi i kontratës për vendosjen e pritoreve të reja, shumë nga stacionet nuk janë pajisur ende, përderisa ato nuk u pajisen asnjëherë me panele informuese për qarkullimin dhe orarin e autobusëve, si dhe me wifi.