038

Pritoret e reja pa orar të linjave, ekranet shfrytëzohen për fushatë

Trafiku urban

Qendra e kryeqytetit është mbushur me pritoret e reja, të cilat është dashur të jenë të përfunduara që një kohë të gjatë.

Komuna e Prishtinës më në fund duket se e ka marrë seriozisht vendosjen e tyre, përderisa ato fillimisht po vendosen vetëm në qendër.

Janë të gjata 9 metra, e te pajisura me ekrane, ku Komuna e Prishtinës duhet të vendosë edhe orarin e linjave të autobusëve dhe aplikacionin, në mënyrë që qytetarët të dinë se sa afër është autobusi të cilin e presin ata.

Mirëpo, për momentin, këto ekrane dhe hapësirat e pritoreve të reja po shfrytëzohen për promovim nga zyrtarët komunalë të Prishtinës të cilët po kandidojnë në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.

Megjithatë, këtyre pritoreve u janë gëzuar qytetarët të cilët thonë se tani do të kenë hapësira ku të ulen.

“Shumë më mirë është bërë se përpara nuk ka pasur hiç, tani po mund të pushojmë ne pleqtë, është bërë shumë më mirë. Unë shkoj deri në Makoc, edhe atje është e nevojshme, por atje nuk kemi”, ka deklaruar një qytetar.

Por, për Ejup Tahirin më e nevojshme është vendosja e pritores te “Xhamia e Llapit”, pasi numri i udhëtarëve aty është shumë i madh.

“Te “Xhamia e Llapit” e kanë qitë por sigurt s’e kanë parë kurrkush prej komunarëve atë storie dhe asgjë nuk kanë ndërmarrë. Te xhamia jemi në zor, po ka të sëmurë e me fëmijë në dorë. Ne vijmë këtu te komuna në mënyrë që të presim ulur. Janë bërë shumë muaj që ato janë hequr. Ja nuk po shohin, ja nuk po duan deri pas zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Enver Kadriu nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, thotë se te “Xhamia e Llapit” ka pasur vonesa, pasi ka pasur kundërshtim nga bizneset përreth për vendosjen e pritores aty.

“Te Xhamia e Llapit vetëm është bërë porosia, në fillim është dashur të flasim me bizneset për shkak se ndikon pak në pamje derisa është sqaruar kjo pjesë. Aty është caktuar lokacioni, pra është i njëjtë, por ka lëvizë pak derisa arritëm në marrëveshje me bizneset që nuk do t’u pengojë atyre, porosia është bërë dhe shumë shpejt do të vendoset”, ka njoftuar ai.

Duke vendosur interesin e bizneseve para atyre të qytetarëve, në këtë stacion që konsiderohet si më i madhi për nga numri i pritjeve të udhëtarëve, pritorja do të jetë më e vogël, vetëm 6 metërshe.

Përveçse në qendër, pritoret nuk kanë filluar të vendosen ende në pjesët periferike e në fshatrat e Prishtinës.

Sipas Kadriut, një gjë e tillë do të bëhet sa të përfundojë në tërësi zona Qendër.

“Kontrata ka nisur moti të realizohet, por në fillim nuk është përgjigjur dizajni, por në bashkëpunim me operatorin kemi arritur të ndërrojmë dizajnin dhe njëra prej arsyeve ka qenë qasja sa më e përshtatshme edhe për persona me aftësi të kufizuara. Kemi arritur të krijojmë një dizajn të ri. Për momentin po punojmë vetëm në zonën qendër, pastaj kalojmë në zonën periferike por do të jetë një format tjetër që iu përshtatet atyre hapësirave. Janë të parapara pra tri lloje A, B dhe C. A është kjo që është duke u implementuar, pastaj është një më e vogël dhe pjesa C është një që nuk ka mbulojë dhe përdorët në pikat më të larta periferike ku pritja e qytetarëve nuk është e gjatë, pra stacioni përdoret vetëm për t’u ndalur autobusi”, është shprehur Kadriu.

E sa i përket mosvendosjes së orarit të linjave në ekranet e dedikuara për këtë gjë, Kadriu thotë se nuk i kanë lënë për shkak të fushatës.

“Është e paraparë të vendoset edhe orari e linja. Për momentin këtë kemi arritur ta bëjmë vetëm me Trafikun Urban, tani jemi duke punuar që këtu të fusim edhe operatorët privat me të cilët kemi arritur një marrëveshje dhe jemi duke i pritur ata që t’i fusim të gjitha informatat e të gjithë autobusëve. Jemi pak mbrapa se jemi në muajin e parë dhe derisa të përpunohen të dhënat. Të njëjtin aplikacion do ta vendosim. Brenda një muaji po besoj që përfundohet.”

Betim Selmanaj, drejtor i kompanisë “Selmans Network” thotë se brenda një apo dy muajve do të mbulohen të gjitha stacionet me pritoret e reja.

“Në momentin që po flasim qendra veçse është mbuluar, për një ose dy muaj mendojmë të mbulojmë gjitha pjesët. Prodhimi i të gjitha pritoreve që mbulojnë edhe periferinë edhe fshatrave janë bërë tani mbetet vetëm montimi i tyre. Sa i përket hapësirave të pritorëve, posterët janë vendosur me lejën tonë dhe partitë politike kanë paguar një shumë simbolike për to”, ka deklaruar Selmanaj.

Përveç montimit të pritoreve të reja, sipas kontratës, operatori privat bën menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tyre për tre vjetet e para.

Vet operatori privat “Selman’s” thotë se me ndërrimin e dizajneve të pritoreve janë dëmtuar shumë si kompani, e për të cilat komuna ka deklaruar se do të rishikojnë mundësinë për t’i kompensuar në të ardhmen.