Avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetueses që t’i rrëzojë disa nene të Ligjit për zyrtarët publikë i ka dhënë goditje përpjekjeve të Qeverisë, që sipas tij, synonte largimin e njerëzve të padëgjueshme nga administrata publike.
Gjykata Kushtetuese të enjten shpalli anti-kushtetues disa nene të Ligjit për zyrtarët publikë, i cili u miratua në Kuvend në dhjetor të vitit 2022. Rasti u dërgua në Kushtetuese nga PDK-ja e LDK-ja.
Fetahu si avokat i partisë më të madhe opozitare është hartues i disa ligjeve, përfshirë Ligjin për zyrtarët publikë, të cilët PDK-ja i ka dërguar në Kushtetuese.
Sipas Fetahut, aktgjykimi i Kushtetueses i dha vlerë investimit 20-vjeçar që është bërë në administratë.
“Kushtetuesja e ka shpallur jokushtetues kriterin e ri që kandidati për t’u pranuar në shërbimin civil të jetë i përshtatshëm. Ky kriter është jokushtetues. Për çfarë përshtatshmërie po flasim? Politike? Kushtetuesja e goditi edhe atë nen që deshën ta centralizonin, që vetëm një njeri në Ministrinë e Brendshme të vendoste pr të gjitha institucionet shtetërore. për ta diktuar çdo gjë në jetën institucionale. Kushtetuesja goditi përpjekjet e kësaj Qeverie t’i largojë njerëzit e padëgjueshëm për ta. Ky aktgjykim i dha vlerë investimit 20-vjeçar të partnerëve në administratën e pavarur”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Avokati ka thënë se pushteti që udhëhiqet nga Albin Kurti është “shkelës recidivist i Kushtetutës”.
“Kjo nuk është çështje e dijes apo mosdijes, por e qëllimit. Sepse ky rend kushtetues nuk po i mjafton Albin Kurtit”, ka shtuar ai.
Fetahu ka thënë se me nenet e shfuqizuara të Ligjit për zyrtarët publike nga Kushtetuesja, “nuk ka asnjë dallim substancial mes ligjit të ri dhe atij që ka qenë”.