Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fetahu: Kosova të shqyrtojë një asociacion me kompetenca të buta

Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politikë, Arbër Fetahu, ka deklaruar se Kosova do të duhej ta shqyrtonte themelimin e një asociacioni me disa kompetenca të buta, por që nuk do të ishin ekzekutive dhe se kupolë vendimmarrëse do të kishin Kushtetutën.

Ai ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së të enjten, se Qeveria duhet të mendojë për një asociacion që ka kompetenca vetëmenaxhuese, por që s’do të krijonin pushtet të tretë për serbët.

“Mund të kemi kundërshti, por modeli kroat ka një karakteristikë që i jep një lloj pushteti, por s’ka kompetenca të shtuara ku shmangen autoritetet...Kjo nismë të paktën është hap i mirë sepse për herë të parë, Kurti e bëri publikisht një takim dhe propozoi vizionin e tij një këtë asociacion. Nëse s’mund të replikohet 100 për qind, mund të jetë bazë e mirë për kompetencat. Mund të shkojmë kah një asociacion me një fuqi të butë ligjore, që s’e kalon kupolën e Kushtetutës. Por të krijohet një pushtet i tretë ku institucionet qendrore do ta kenë problem të menaxhojnë këtë pjesë, dhe kur krijon një pushtet të tretë, autonomia e tij s’i zbaton direktivat e Qeverisë”, ka deklaruar Fetahu.

Sipas hulumtuesit, asociacioni duhet të jetë i bazuar në modele evropiane, por instancë e fundit të ketë Kushtetutën e Kosovës. Ai ka thënë se këtë duhet ta ketë parasysh edhe Bashkimi Evropian si palë në marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Në këtë situatë një statut i ri do të draftohet nga negociatat në Bruksel, ndonëse mbetet të shihet se ligjërisht i bie se duhet të emërohet një ekip i ri menaxhues...Në këtë moment s’është opsion krijimi i një asociacioni etnik me kompetenca ekzekutive të federatës brenda shtetit. Është e rëndësishme që pushteti të ketë dialog me opozitën që të kemi një qëndrim më të kristalizuar mbi këtë çështje”, ka shtuar ai.

Fetahu është shprehur se Kosova ka hyrë në një fazë ku Qeveria ka një diskurs dyshues në raport me dialogun, por kjo sipas tij, s’mund të barazohet me diskursin e Serbisë.

Edhe Qeverisë i kërkohen hapa të kujdesshëm rreth hapjes së urës mbi Ibër Arbëri Qeverisë i kërkohen hapa të kujdesshëm rreth hapjes së urës mbi Ibër

“Bashkimi Evropian s’ka treguar gatishmëri ta çojë përpara këtë proces. Këto vizita pa rezultat po ia humbin kuptimin raporteve mes Kosovës dhe Serbisë...Hapësira për zbatimin e marrëveshjes është e madhe. Siç e tha Lajçak, stili i negocimit është të gjejë një rrugë të mesme...Besoj se BE-ja duhet të ndërrojë rolin pasi nëse shohim, është nga palët kontraktuale dhe nuk është lehtësuese, e ky rol duhet të ndryshohet. BE-ja është pjesë e marrëveshje sepse është e lidhur me rrugën e integrimit të Kosovës dhe të Serbisë”, ka deklaruar hulumtuesi i GLPS-së.

I pyetur për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, Fetahu ka thënë se mund të konsiderohet veprim i ngutshëm, por kjo do të duhej të shihej si proces pozitiv për normalizimin e raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.