Arbëri

Fatura e mbeturinave pritet të rritet në 6 euro

Zëdhënësja e kompanisë “Pastrimi”, Arbnore Ademi, ka thënë se po synohet që fatura e mbeturinave pritet të rritet për klientët e amvisërisë nga 4.70 euro sa është momentalisht për në 6 euro.

Ademi në emisionin “Sot” të KTV-së ka thënë se synimi është të rriten çmimet nga viti 2022, pasi kanë pësuar rritje të çmimeve gjitha lëndët tjera.

“Jemi në diskutim e sipër me kuvende komunale nga viti 2022 të bëhet rritja e faturës. Pasi gjithë faturat kanë pësuar rritje të çmimeve. Me çmime aktuale në treg, rroga e punëtorëve tonë është e vogël dhe e kanë të pamundur ta mbajnë familjen e tyre. Gjitha çmimet janë rritur duke filluar nga derivatet që është lënda bazë me të cilën operon kompania jonë, pastaj shumë produkte tjera që i kemi të nevojshme për të kryer obligimet. Është në diskutim e sipër duhet të presim nga ndryshimet aktuale e vullnetet e kryetarëve të komunave ku kryejmë ne shërbimet. Të shohim a aprovohet një gjë e tillë. Duhet të ratifikohet në kuvende komunale, të aprovohet nga asamblistët e të fillohet me rritje të faturave. Ne synojmë që nga 4.70 euro sa është fatura momentalisht për amvisëri, të rritet deri në 6 euro. Besoj është e përballueshme për secilin klient të kompanisë sonë”, ka thënë Ademi.

Ajo ka treguar se borxhet ndaj kompanisë janë afro 20 milionë euro, ndërsa ka treguar se që nga viti 2014 janë dërguar në përmbarues privatë rreth 40 mijë lëndë.

“Diku afro 20 milionë euro është borxhi i qytetarëve ndaj kompanisë ‘Pastrimi’. Kompania ofron shërbime për afro 123 mijë klientë, e vetëm në Prishtinë janë afro 80 mijë. Normal që numri më i madh i borxheve është në Prishtinë. Që nga viti 2014 ‘Pastrimi’ ka procesuar afro 39 mijë e 500 lëndë te përmbaruesi privat. Fatkeqësisht shumë pak janë ekzekutuar, duke llogaritur se në këtë sasi të numrit të lëndëve janë edhe shumë lëndë në gjykatë që po presin çfarë të ndodhë”, ka thënë Ademi.