Arbëri

Familja e Enver Hadrit pret që gjykata të konfirmojë burgimin e përjetshëm për vrasësit e tij

Enver Hadri

Enver Hadri

Në Gjykatën Penale në Bruksel është duke vazhduar gjykimi ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e aktivistit kosovar Enver Hadri pasi të njëjtit ishin dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2016. Ky gjykim po zhvillohet tash pasi dy prej tre të dënuarve nga viti 2016 janë ankuar ndaj vendimit, ndërsa i treti i dënuar nuk është ankuar. Edhe ky gjykim, sikur ai që ishte mbyllur në vitin 2016, është duke u zhvilluar në mungesë pasi Serbia nuk i ka dorëzuar të akuzuarit në Belgjikë.

Në seancë janë duke u nxjerrë dëshmi për fajësinë e autorëve të vrasjes Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, avokatët e të cilëve janë ankuar, ndërsa i dënuari i tretë me burgim të përjetshëm Bozhidar Spasiq nuk është ankuar, por edhe ai ndodhet i lirë në Beograd.

Teuta Hadri, e bija e të vrarit Enver Hadri, për vite nuk e ka ndërprerë angazhimin për të kërkuar drejtësi. Ajo ishte 13-vjeçare kur Enver Hadrin në Bruksel në vitin 1990 e kishin vrarë kriminelët me porosi të shërbimit të zbulimit nga Beogradi. Sot ajo ka pikërisht moshën që e kishte babai kur ishte vrarë.

Teuta Hadri thotë se familja e saj pret që edhe juria që është krijuar për këtë gjykim do të nxjerrë verdiktin e njëjtë dhe të japë dënimin e njëjtë për vrasësit, pra dënimin maksimal që në Belgjikë është ai me burgim të përjetshëm.

Teuta Hadri shprehet se këtë gjykim e sheh me rëndësi të veçantë, jo vetëm për babanë dhe familjen e saj, por për tërë Kosovën pasi është gjykimi i vetëm për një vrasje politike të aktivistëve shqiptarë nga Kosova që ka ndodhur në vendet e Evropës Perëndimore.

Hadri ka shprehur mirënjohje për ndihmën që Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i ofrojë familjes për të ndihmuar angazhimin në këtë proces gjyqësor.

Ka pasur edhe të dyshuar të tjerë që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Enver Hadrit para tashmë 35 vjetëve. Por dy prej tyre janë vrarë më vonë në qërim hesapesh mes grupeve kriminale. Serbia asnjëherë nuk ka pranuar t’i dorëzojë ata në Belgjikë për t’u përballur me akuzat.

Gjykata e Belgjikës në vitin 2016 kishte konstatuar se Enver Hadri ishte vrarë nga grupet e krimit të organizuar të nëntokës që i përdorte shërbimi jugosllav i zbulimit dhe se kjo vrasje ishte me porosi me qëllime politike për shkak të aktivitetit të Hadrit në mbrojte të të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë. Dosja e Enver Hadrit në Gjykatën e Belgjikës përmban dëshmi në më shumë se 3000 faqe.

Juria prej 12 anëtarësh që është formuar për këtë gjykim është duke dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve të kohës, por edhe të ekspertëve ndërkombëtarë. Pritet që deri në fund të muajit janar të përfundojë procesi.