Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka thënë se është e zhgënjyer me zhvillimet rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Fajon ka thënë se është e paparanueshme që Kosovës t’i imponohen kushte të reja pasi janë plotësuar të gjitha kërkesat.
“Jam e shqetësuar me disa zhvillime dhe deklarata lidhur me liberalizimin e vizave, siç ishte ajo e kancelarit austriak Sebastian Kurz gjatë vizitës në Prishtinë. Është e papranueshme sesi disa politikanë po mundohen që të politizojnë edhe më tutje procesin, duke imponuar kushte të reja dhe në këtë mënyrë të vonojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës” ka deklaruar Fajon.
Ajo e ka quajtur të padrejtë faktin se janë plotësuar të gjitha kushtet nga ana e Kosovës, megjithatë Bashkimi Evropian nuk po vepron.